
Julian Ahmataj është pasardhësi i Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu. Ish-lojtari i Tiranës dhe aktualisht përgjegjës i akademisë bardheblu, do të drejtojë ekipin ashtu sikurse e ka bërë pak ndeshje edhe në vitin 2019.
Julian Ahmataj në atë kohë zëvendësoi Ardian Memën, por vetëm për një muaj pasi dha dorëheqjen pas tre ndeshjeve. Ndërkohë që pritet të zyrtarizohet sot në orën 16:00 siç njofton vetë klubi, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Refik Halili.
Në të shkuarën Julian Ahmataj ka drejtuar Kamzën dhe Luftëtarin.
Bardheblutë kanë komunikuar se pas 2 vitesh e nëntë muajsh në drejtimin e ekipit, 46-vjeçari Orges Shehi është pezulluar për rezultatet e dobëta.
Megjithatë, klubi i Tiranës bën me dije se trajneri do vijojë të paguhet deri në fundin e kontratës së rinovuar disa muaj më parë. Pra deri në 30 qershorin e vitit 2024, kohë kur përfundon kontrata e tij. Shehi do vijojë të paguhet nga Tirana, kjo gjithmonë nëse ai nuk firmos tjetër kontratë me klube të ndryshme.
"Pas shqyrtimit të rrethanave, lidhur me situatën sportive dhe rezultateve te dobëta në të cilën ndodhet klubi aktualisht, bazuar në Kontratën individuale të punës, Klubi i Futbollit Tirana ka vendosur të pezullojë nga detyra trajnerin Orges Shehi. Gjithashtu, klubi njofton se do të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale me trajnerin Shehi deri në përfundimin e saj", njofton Tirana.
Lini një Përgjigje