
Një vajzë 17-vjeçare nga Shqipëria sapo ka bërë atë që pak kush guxon ta ëndërrojë: ka pushtuar Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinjtë, duke rrëzuar pesë rekorde dhe duke u shpallur kampione e trefishtë absolute. Emri i saj është Enkileda Carja, sportistja që e ktheu Madridin në një skenë triumfi kuqezi.
Carja nisi garën në stilin e shkëputjes me një rekord të ri në provën e parë – 91 kg – dhe e theu menjëherë në provën e dytë me 93 kg. Ajo tentoi edhe 95 kg, që nuk u realizua, por gjithsesi ishte më shumë se e mjaftueshme për medaljen e parë të artë.
Në stilin e shtytjes, 17-vjeçarja tregoi edhe një herë forcë të jashtëzakonshme: ngriti 109 kg, vendosi rekord të ri europian dhe e çoi edhe më lart me 111 kg. Tentativa e tretë për 114 kg nuk u realizua, por nuk kishte asnjë rëndësi – Carja tashmë ishte në një tjetër nivel.
Rezultati final: 204 kg në total, tri medalje ari, pesë rekorde europiane të thyera dhe një mesazh i qartë – peshëngritja shqiptare ka një kampione të re që mund të shkojë shumë më lart.
Lini një Përgjigje