TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Shtator 2025, 17:44

Një faqe e re hapet në historinë e Juves, Del Piero dhe Platini emrat që pritet të marrin postet e larta në kupolën bardhezi

Shkruar nga Pamfleti

Një faqe e re hapet në historinë e Juves, Del Piero dhe Platini

Një faqe e re hapet në historinë e Juventusit. Pas turbulencave të viteve të fundit dhe pas periudhës së tranzicionit të udhëhequr nga Xhon Elkan dhe Exor, klubi bardhezi është gati për një ndryshim rrënjësor në strukturën e tij drejtuese.

Vendimet e fundit tregojnë se vizioni është i qartë: të rikthehet stabiliteti financiar dhe të ndërtohet një ekip drejtues me ndikim ndërkombëtar. Lëvizja më e madhe është emërimi i Damien Komoli si administrator i deleguar me kompetenca të plota menaxheriale. Ish-drejtuesi i njohur, që në verë mori në dorë merkaton, do të zëvendësojë praktikisht Mauricio Skanavinon. Ky i fundit mbetet me të ardhme të paqartë, mes mundësisë së një bashkëjetese me Komolin ose një dalje të plotë nga skena.

Zgjedhja e Elkan për të vënë Komolin në qendër të projektit është një sinjal i fortë për profesionalizëm dhe për një menaxhim të qartë të financave. Por revolucioni nuk ndalet këtu. Këshilli i Administrimit (CdA), që deri tani kishte vetëm pesë anëtarë, do të zgjerohet në njëmbëdhjetë. Në këtë bord do të hyjë edhe një figurë e dashur për tifozët dhe me peshë institucionale: Xhorxho Kielini. Ish-kapiteni pritet të ketë një rol të rëndësishëm jo vetëm në marrëdhëniet me institucionet, por edhe në të ardhmen e klubit. Emri i tij qarkullon madje si kandidat për zëvendëspresident, në stilin e dikurshëm të Pavel Nedved.

Ndërkohë, për postin e presidentit të Juventusit është hapur një proces i vërtetë “casting”-u. Xhanluka Ferrero, i cili mbajti klubin në një periudhë të ndërlikuar, gëzon respekt, por Elkan duket se synon një figurë me profil më të lartë ndërkombëtar. Emrat që përmenden janë të mëdhenj: Alesandro Del Piero, simbol i një epoke, dhe Mishel Platini, ikonë e futbollit botëror. Por nuk përjashtohet mundësia që të zgjidhet një profil më institucional e diplomatik, ndoshta më pak i lidhur me fushën, siç ka ndodhur dikur me Zhan Klaude Blank. E gjithë ky riorganizim ka një qëllim të vetëm: ta bëjë klubin vetëqendrues. Exor ka investuar mbi 700 milionë euro në 14 vitet e fundit për të mbuluar humbjet dhe për të garantuar funksionimin e klubit.

Tani kërkohet një model i ri, që të lejojë Juventusin të ecë me forcat e veta dhe të mbajë një nivel të lartë konkurrues pa pasur nevojë për injeksione të vazhdueshme kapitali. Në horizont, për tifozët dhe për të gjithë ambientin bardhezi, ky revolucion mund të përfaqësojë një rilindje. Një klub me rregulla të qarta, me një drejtim më të fortë dhe me figura historike si Kielini apo ndoshta Del Piero në drejtim, ka potencialin të rikthejë identitetin e Juventusit si një forcë e madhe, jo vetëm në fushë, por edhe në tavolinat e futbollit europian.

 

mishel platini alesandro del piero juventus

Lini një Përgjigje