
Ylli Gashi është emri i ri i cili do të dëgjohet shumë në futbollin europian dhe atë ndërkombëtar. 17-vjeçari po shkëlqen tek ekipi i të rinjve të Bajernit të Mynihut dhe falë paraqitjeve të tij ka tërhequr vëmendjen e FSHF-së dhe FFK-së.
Të dyja Federatat tashmë janë në ‘luftë” mes tyre për shërbimet e shqiptarit. Sipas “Bild” bëhet me dije se me talentin e Bajernit kanë nisur edhe takimet e para. Raportohet se Franko Foda të ketë patur një takim me Gashin për ta bindur të veshë fanelën e “Dardanëve”
Por mësohet se nuk ka mbetur pas as Shqipëria dhe Armand Duka ka udhëtuar drejt Mynihut për të takuar personalisht 17-vjeçarin dhe familjen e tij, për ta bindur për të përfaqësuar Kombëtaren shqiptare.
"Trajneri i Kosovës, Franko Foda, udhëtoi për në Mynih për bisedime dhe tani dëshiron të bindë Gashin që të kalojë në ekipin përfaqësues të të rriturve sa më shpejt të jetë e mundur. Kosova, e cila e mposhti dy herë Suedinë në kualifikimet e Kupës së Botës, aktualisht renditet e dyta pas Zvicrës dhe ka gjasa të mira për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit 2026.
Edhe Shqipëria e dëshiron Gashin. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, po ashtu ishte në Mynih për bisedime. Që atëherë të dyja Federatat kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Gashin”, shkruhej në artikull.
Tashmë mes dy ekipeve ka nisur një “luftë e ftohtë” për Gashin dhe në javët ose muajt në vazhdim pritet të mësohet më shumë mbi të ardhmen e tij. Siç dihet aktualisht është pjesë e të rinjve të Gjermanisë, teksa herë pas here stërvitet edhe me ekipin A të Bajernit të Mynihut.
Lini një Përgjigje