
Të gjithë u surprizuan kur në ditën e fundit të afatit të merkatos, Arbnor Muja u zyrtarizua te Samsunspori. Sulmuesi i krahut u largua nga Antverpi për të shkuar tek ekipi turk, atje ku do të përfitojë një shumë të majme financiare. Një kampionat i rëndësishëm dhe me pozitat e Samsunsporit nuk janë edhe aq ideale, por pavarësisht kësaj, Muja ka bërë një debutim fantastik, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Antaljasporit.
Pas golit, lojtari i Kombëtares shqiptare foli për mediat turke, ku tregoi edhe ndjesitë e golit të parë me këtë fanelë.
Muja u shpreh se ndihet si në shtëpi:
“Mendoj se ishte ndeshje e vështirë dhe jam i lumtur që fituam. E kam ditur që një atmosferë e tillë na pret në stadium, pasi kemi tifozë të jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur që jam lojtar i Samsunsporit. Kam shënuar golin e parë në ndeshjen e parë dhe kjo më bëri shumë të lumtur”, ka thënë fillimisht Muja, i cili më pas u shpreh edhe si ndihet në ekipin e ri.
“Kam shumë pak këtu, vetëm tri ditë. Por, ndihem mirë, ndihem si në shtëpi. Bashkëlojtarët, stafi i klubit dhe trajnerët janë faktor i madh që më bëjnë të ndihem kështu. Jam i lumtur për këtë. Nuk është e lehtë të përshtatesh kaq shpejt, për vetëm një apo dy ditë. Do të punojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ishin fjalët e para të sulmuesit kuqezi që firmosi për 3.5 vite me Samsunsporin.
Lini një Përgjigje