Pjesa e parë e sfidës mes Beshiktashit dhe Trabzonsporit, e vlefshme për javën e 33-të të Superligës turke, u mbyll në barazim 1-1. Të dy golat erdhën shumë shpejt, me Kokçun që zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të, ndërsa Zubkov reagoi vetëm pak sekonda më vonë duke rikthyer ekuilibrin.
Në minutën e 22-të, sulmuesi shqiptar Ernest Muçi u vu në qendër të vëmendjes. Teksa kishte topin nën kontroll, tifozët e Beshiktashit shpërthyen në vërshëllima ndaj tij, një sinjal i qartë pakënaqësie nga ana e ekipit vendas.
Një tjetër moment i tensionuar u regjistrua në minutën e 37-të, kur Muçi ndërhyri ashpër nga pas ndaj mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani. Të dy futbollistët mbetën për disa çaste të shtrirë në fushë, por fatmirësisht pa dëmtime serioze.
Në pjesën e dytë, Muçi arriti të lërë gjurmë vendimtare në takim. Në minutën e 62-të, sulmuesi shqiptar realizoi golin e avantazhit për Trabzonsporin, duke shënuar pikërisht ndaj ish-ekipit të tij dhe në stadiumin e Beshiktashit.
Pas një pasimi në zonë nga krahu i majtë, Muçi kontrolloi mirë topin dhe me një goditje të harkuar e dërgoi sferën në cepin e largët të portës, pa i lënë asnjë mundësi reagimi portierit vendas. Goli i tij i dha avantazhin e përkohshëm 2-1 Trabzonsporit dhe njëkohësisht shërbeu si përgjigje ndaj kritikave të tifozëve të Beshiktashit.
Lini një Përgjigje