Rivaliteti më i zjarrtë në botën e futbollit, Kristiano Ronaldo-Lionel Mesi, do të rikthehet sërish, por në një tjetër kontinent. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë do të largohet në fundin e sezonit nga PSG-ja dhe mediat franceze e kanë bërë fakt të kryer transferimin e tij në Arabinë Saudite tek Al Hilal.
Argjentinasi do të thyejë çdo rekord të mundshëm sa i përket pagës, pasi do të përfitojë 522 milionë stërlina, duke tejkaluar edhe CR7.
Arabët janë shumë pranë për të bërë realitet një tjetër objektiv të madh. Shanset që sezonin e ardhshëm të kampionatit saudit të luajnë dy lojtarët më të mirë në botë janë të mëdha dhe për më tepër transferimi i Lionel Mesit do t’i hapte rrugë edhe shumë lojtarëve të tjerë, që janë në fundin e karrierës.
Një klauzolë ekskluziviteti imponuar Mesit
Për Mesin, Arabia Saudite tashmë ka treguar se di të bëjë përpjekje të mëdha financiare. Orët e fundit, media “Ok Diario” ka zbuluar kontratën e nënshkruar nga “Pleshti” për t'u bërë ambasadori i tij. Një kontratë trevjeçare me 7.5 milionë euro në vit, ose 22.5 milionë euro, bazohej në periudhën 2021-2023, por që filloi më vonë, në vitin 2022, për shkak të pandemisë.
Kjo kontratë, e cila parashikon udhëtime të ndryshme, por edhe promovimin e Arabisë Saudite në rrjetet sociale të Pulgës, zhvillohet në 13 faqe mes kompanisë së Lionel Mesit, Leo Mesi Management SL, shtetit saudit dhe “Sela Sports Company”, organizator zyrtar i ngjarjeve sportive në vendin arab.
Një kontratë, e cila specifikon të gjitha kushtet e pagesës së parave për shërbimet e Mesit, por edhe një klauzolë ekskluziviteti, ku Mesit i kërkohet të mos promovojë turizmin në një vend tjetër pa marrëveshjen e shtetit saudit dhe kompanisë Sela Sports.
Gjithashtu, Al Hilal po kërkon të ketë në skuadër edhe futbollistë të tjerë që kanë bërë histori në Europë. Di Maria, Serxhio Buskets, Zhordi Alba, Marko Verrati e Leandro Paredes janë disa nga lojtarët me të cilët Mesi ka luajtur në Europë dhe mund t’i ketë sërish shokë skuadre në Arabi.
Ndërkohë që synimi kryesor i Arabisë Saudite mbetet organizimi i Kupës së Botës në vitin 2030.
Në mediat botërore u përfol gjerësisht edhe për një rikthim të Mesit te Barcelona, por problemet financiare të klubit katalanas me sa duket e bëjnë të pamundur këtë transferim.
Lini një Përgjigje