
Tekniku i Manchester City, Pep Guardiola, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në prag të ndeshjes me Real Madrid është shprehur optimist.
Ndryshe nga lojtarët apo trajnerët e tjerë, Guardiola tha se nuk është në Madrid për t’u “hakmarrë” për sezonin e shkuar, po për të arritur në finale e më pas për të fituar “veshëllapushen” aq shumë të pritur në “Etihad”.
“Sezonin e kaluar ne erdhëm këtu me shpresën për të arritur në finale. Ne luajtëm mirë në të dyja ndeshjet. Por kjo nuk mjaftoi. Megjithatë, ajo që ndodhi tashmë i përket të shkuarës. Nuk kemi ardhur për hakmarrje. Është vetëm një mundësi tjetër. Një ditë do të marrim rrugën tonë. Një ditë do të arrijmë në finale dhe do ta fitojmë atë. Dhe ne erdhëm këtu për ta arritur këtë sezon.
Nuk funksionoi sezonin e kaluar sepse u përballëm me Real Madrid, i cili e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë në këtë kompeticion. Por sa më shumë të luajmë me të ose me ekipe të tjera të nivelit të lartë, aq më afër do të jemi drejt triumfit”, tha tekniku i Manchester City, në prag të përballjes së nesërme.
Lini një Përgjigje