
Në fitimin e medaljeve të para olimpike të Shqipërisë ka një rol shumë të rëndësishëm Sahit Prizreni.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes ka pasur një rol kyç në afrimin e sportistëve rusë në kombëtaren kuqezi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Prizreni rrëfen emocionet e suksesit kuqezi në “Paris 2024”. Teksa falënderon Chermen Valievin dhe Islam Dudaevin, Prizreni thotë se këto medalje kanë shijen e medaljeve të arta për vetë mënyrën sesi u fituan.
Prizreni, për herë të parë Shqipëria fiton medalje olimpike. Arritje historike që vijnë nga mundja me kampionë si Chermen Valiev dhe Islam Dudaev. Si e komentoni këtë sukses?
Vetë fjala historike i ka të gjitha komentet brenda, por sinqerisht dua t’i përgëzoj djemtë për sakrificën, dedikimin e tyre gjatë të gjithë kësaj kohe, për besimin dhe shpresën e madhe që kanë pasur për t’i dhënë Shqipërisë atë medalje që mungonte. I përgëzoj pa masë dhe dua të falënderoj të gjithë ekipin tim, trajnerët, anëtarët e federatës dhe të gjithë njerëzit që kanë besuar tek ajo çka unë kam zgjedhur. Ne sot të gjithë së bashku ia kemi dalë.
Në të gjitha komunikimet që kemi pasur ju kemi parë të bindur që mundja do t’i dhuronte medalje olimpike Shqipërisë. Nga ju vinte kjo siguri?
Fakti që kam 25 vite që çdo ditë merrem me këtë sport, fakti që kam qenë vetë në tri Olimpiada, por ajo që unë kam parë te djemtë, te cilësitë, por mbi të gjitha te pasioni dhe vendosmëria për t’i sjellë Shqipërisë medalje. Djemtë kërkonin për të bërë historinë për Shqipërinë, për veten e tyre, për vendlindjen e tyre dhe e gjitha kjo më ka dhënë një shpresë të jashtëzakonshme, që sot ne falë Zotit ia dolëm.
Ju pamë gjithashtu shumë të emocionuar, ndoshta edhe më tepër se kur garonit vetë në tapet, madje nuk i kontrolluat dot as lotët…
Absolutisht, janë emocione të mëdha, duke nisur nga Zelimkhan Abakarov, i cili më bëri të përjetoj një emocion me titullin kampion botëror. Islam Dudaev, gjithashtu me titullin kampion Europe, por edhe Chermen Valiev, kur arriti normën kualifikuese në limitet e kohës për në Olimpiadë. Ndërsa sot me dy medalje, që edhe pse janë bronzi, për ne kanë shijen dhe aromën e medaljeve të arta.
Ndërkohë Valiev ruajti qetësinë edhe pse nuk ishte e lehtë pas asaj padrejtësie që iu bë në çerekfinale…
Absolutisht. Unë e them me bindje që Chermeni do të ngrinte në shkallën më të lartë të podiumit flamurin kombëtar dhe do të bënte të këndohej himni i Shqipërisë në mes të Parisit. Por na u bë një padrejtësi, një padrejtësi që e gjithë bota e mundjes foli për të. Padrejtësitë, gabimet ndodhin dhe kjo na ndodhi ne, por falë Zotit djemtë e ruajtën qetësinë dhe vazhduan të besonin. Pas kësaj disfate djemtë u treguan fantastikë për mënyrën sesi reaguan dhe sesi e ruajtën qetësinë, duke e kthyer dhimbjen në forcë, për të shënuar më pas rezultate historike.
Lini një Përgjigje