
Ka nisur në mënyrën e duhur aventura e Maxarit në drejtimin e Napolit.
Kampionët në fuqi të Italisë, në fakt, kanë mundur 2-1 Atalantën në transfertë në javën e 13ë të kampionatit italian dhe janë ngjitur përkohësisht në vendin e tretë në renditje duke parakaluar Milanin.
Në pjesën e parë, napolitanët ishin protagonistë. Fillimisht, në minutën 34 iu anulua një gol i Rrahmanit, për shkak se u konsiderua pozicion i parregullt. Në fundin e fraksionit, një krosim perfekt i Di Lorencos u shfrytëzua si duhej nga Kvaratskelia, i cili realizoi me kokë.
Bergamaskët e filluan pjesën e dytë me shumë dëshirë dhe u shpërblyen për këtë, pasi Lukman vendosi ekuilibrat në minutën e 53. Në fundin e ndeshjes, një gafë e portierit vendas i kushtoi shumë Atalantës, me Elmas që “tundi rrjetën”, për të vulosur shifrat përfundimisht në 1-2.
Lini një Përgjigje