
Njukasëlli ka mundur Çelsin me shifrat 4-1 në shtëpi, në ndeshjen e javës së 13 të Premier Ligës. Të zotët e shtëpisë kaluan në epërsi në minutën e 13. Pas disa pasimesh të bukura rreth zonës së rreptësisë, sulmuesi me pasaportë suedeze, Isak, u tregua i saktë nga fare pranë portës.
Portieri Nik Pope nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 23, kur me një ekzekutim perfekt të një goditje dënimi, Rahim Stërling “ndezi” festën mysafire në tribunat e “St. James’ Park”.
Djemtë e Edi Hou, me mjaft karakter morën përsëri avantazhin në minutën e 60 me mbrojtësin anglez, Laskeles. Vetëm 2 minuta më pas, Xhoelington thelloi shifrat, duke e kthyer në mision të pamundur përmbysjen për rivalët.
Xhejms u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 73 duke vështirësuar akoma më shumë sfidën për Blutë e Londrës. Pavarësisht aktivizimit të Armando Brojës në 20 minutat e fundit, ndeshja nuk ndryshoi kah, me Gordon që pak para fundit vendosi emrin në listën e golashënuesve. Njukasëlli renditet në vendin e gjashtë, ndërsa Çelsi pozicionohet në vendin e 10.
Brajtoni i ka dhënë fund krizës në kampionat duke u kthyer pas 5 ndeshjesh pa suksese përsëri te fitoret. Skuadra e De Zerbit ka mundur me shifrat 3-2 në transfertë Notingem Forestin dhe tani është përsëri kërcënuese për grupin e ekipeve të katërshes së parë.
Uest Hemi ka fituar 2-1 kundër Bërnlit, Lutoni ka mposhur 2-1 Kristal Palas, ndërsa Bërnmuthi ka fituar 3-1 ndaj Shefild Junajtid.
Lini një Përgjigje