
Ish-portieri i njohur austriak, Aleks Maninger, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në moshën 48-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë ku automjeti i tij u përplas me një tren. Ngjarja ka tronditur botën e futbollit, ndërsa reagimet nuk kanë munguar.
Maninger u bë i njohur gjatë periudhës së tij tek Arsenali, ku luajti 64 ndeshje në vitet 1997–2002. Gjatë kësaj kohe, ai ishte pjesë e një skuadre të suksesshme që fitoi Premier Ligën dhe FA Cup.
Ai e nisi karrierën me Red Bull Salcburg dhe më pas aktivizohej në një numër të madh klubesh evropiane, duke luajtur për rreth 14 skuadra, mes tyre Juventusin, Udinezen dhe Augsburgun.
Në vitin 2016, në moshën 39-vjeçare, firmosi një kontratë afatshkurtër me Liverpulin, por nuk arriti të debutonte me ekipin anglez.
Gjatë qendrimit tek Arsenali, Maninger ishte kryesisht zëvendësues i portierit legjendar Devid Siman. Megjithatë, ai mori një rol të rëndësishëm në fund të sezonit 1997–1998, pas dëmtimit të Siman.

Kontributi i tij u bë vendimtar në disa ndeshje kyçe, përfshirë fitoren e rëndësishme ndaj Mançester Junajtid në “Old Trafford”. Performancat e tij u vlerësuan edhe me çmimin “Lojtari i Muajit” në Premier Ligë për marsin e vitit 1998.
Në nivel kombëtar, Maninger përfaqësoi Austrinë në 33 ndeshje. Ai ishte pjesë e skuadrës që mori pjesë në “EURO 2008”, turne i zhvilluar në vendin e tij të lindjes.
Drejtori sportiv i Federatës Austriake të Futbollit, Peter Shotel, e vlerësoi lart figurën e tij, duke e cilësuar si një ambasador të shkëlqyer të futbollit austriak.
Sipas tij, profesionalizmi, qetësia dhe besueshmëria e Maninger e bënë atë një element të rëndësishëm në çdo ekip ku ai luajti, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Lini një Përgjigje