Eliminimi nga Liga e Kampioneve përballë Bayern Munich ka shkaktuar reagim të menjëhershëm te drejtuesit e Real Madridit. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, presidenti Florentino Pérez u drejtua drejt dhomave të zhveshjes, duke dalë nga qëndrimi i zakonshëm i rezervuar në momente të tilla.
Sipas burimeve brenda klubit, ai iu drejtua skuadrës me tone të drejtpërdrejta, duke i konsideruar rezultatet e fundit të papranueshme për standardet e klubit. “Një sezon pa trofe te Real Madridi është dështim, por dy sezone të tilla janë absolutisht të papranueshme,” mësohet të ketë deklaruar ai para lojtarëve.
Edhe pse vlerësoi reagimin në ndeshjen ndaj skuadrës gjermane, Pérez theksoi se një paraqitje e vetme nuk mund të ndryshojë bilancin e përgjithshëm të sezonit. “E vlerësoj përpjekjen e sotme, por ky sezon ka qenë një zhgënjim i vërtetë,” u shpreh ai, ndërsa skuadra dëgjonte në heshtje.
Gjatë fjalës së tij, presidenti ndaloi edhe te përgjegjësia që lidhet me përfaqësimin e klubit. Ai u kujtoi lojtarëve se niveli i lartë i kontratave dhe statusi që gëzojnë kërkon angazhim të plotë në fushë. “Të luash për Real Madridin është një privilegj që shoqërohet me shumë përgjegjësi. Shumë prej jush, thjesht nuk i kanë përmbushur ato,” theksoi ai.
Në përfundim, Pérez dha një mesazh të qartë për pjesën e mbetur të sezonit në La Liga, duke kërkuar reagim nga skuadra pavarësisht situatës në renditje. “Të paktën, mbylleni kampionatin me dinjitet.”
Ky komunikim i drejtpërdrejtë me lojtarët shihet si një sinjal për ndryshime të mundshme në përbërjen e ekipit gjatë verës, në një kohë kur drejtuesit e klubit pritet të vlerësojnë performancën e këtij sezoni.
Bazuar në raportet rreth merkatos së verës 2026, Real Madrid po përgatit një ndryshim të rëndësishëm të skuadrës, me David Alabën, Rodrygon, Dani Ceballosin, Ferland Mendyn, Fran Garcían dhe Eduardo Camavinga jashtë ekipit.
Lini një Përgjigje