TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Prill 2026, 18:16

Majorka surprizon Realin dhe merr fitoren e sezonit, Vedat Muriqi i jep “asistin” Barcelonës

Shkruar nga Pamfleti

Majorka surprizon Realin dhe merr fitoren e sezonit, Vedat Muriqi i jep

Majorka ka arritur një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Realit të Madridit në stadiumin “Son Moix”, në kuadër të javës së 30-të të La Ligës, duke marrë tre pikë me peshë në luftën për mbijetesë.

“Los Blancos” zhvilluan një nga paraqitjet më të dobëta të këtij sezoni, duke krijuar pak raste të rrezikshme. Mundësia e vetme serioze në pjesën e parë erdhi në minutën e 22-të, kur Kilian Mbapé provoi portën, por u ndal nga portieri Leo Roman.

Majorka përfitoi nga pasiguria në mbrojtjen madrilene dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 42-të. Pas një krosimi nga Pablo Mafeo dhe një momenti pakujdesie në prapavijën e Realit, Manu Morlanes dërgoi topin në rrjetë.

Pjesa e dytë pati ritëm më të ulët, me Realin e Madridit që tentoi të reagonte në fund. Goli i barazimit erdhi në minutën e 88-të, kur Eder Militao, i futur si zëvendësues, shënoi me kokë pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Aleksandër-Arnold.

Megjithatë, vendasit reaguan menjëherë. Në minutën e parë shtesë, Vedat Muriqi realizoi golin e fitores pas një aksioni të shpejtë të nisur nga portieri Leo Roman. Sulmuesi dardan finalizoi me saktësi, duke shënuar golin e tij të 19-të sezonal.

Me këtë fitore, Majorka siguron tre pikë të çmuara në garën për mbijetesë. Nga ana tjetër, Reali i Madridit regjistron humbjen e pestë sezonale.

Nëse Barcelona arrin të fitojë sonte në mbrëmje ndaj Atletikos së Madridit, gara për titullin në La Liga mund të marrë një drejtim vendimtar në favor të katalanasve.

Lini një Përgjigje