Te Roma nuk arritën t’i besonin plotësisht, ndonëse ndoshta edhe koha nuk ishte në favorin e tij. Për Luis Enrique ishte eksperienca e parë e rëndësishme në pankinën e një ekipi elitar, pas tre sezonesh të kaluara te Barcelona B.
Nga ana tjetër, Roma po përjetonte një fazë të re me pronarët amerikanë James Pallotta dhe Thomas Di Benedetto, ndërsa drejtimi sportiv ishte në duart e Franco Baldinit dhe Walter Sabatinit.
Skuadra që iu vu në dispozicion ishte e ndërtuar me shumë ndryshime dhe me një përzierje profilësh të ndryshëm. Projekti nuk zgjati shumë. Marrëdhënia e vështirë me Francesco Tottin, i cili shpesh mbetej në stol, si dhe rezultatet jo gjithmonë bindëse, çuan në ndarjen e shpejtë mes trajnerit spanjoll dhe klubit verdhekuq.
Megjithatë, ishte e qartë se Luis Enrique kishte diçka të veçantë. Këtë e ka pranuar edhe Daniele De Rossi, i cili ka treguar se një herë u la në tribunë pasi mbërriti me vonesë në një mbledhje teknike të ekipit.
“Kishte diçka më shumë dhe në atë rast kishte të drejtë ai”, ka thënë De Rossi.
Sot, pas shumë vitesh, Luis Enrique ka hyrë në historinë e futbollit europian. Në Budapest ai fitoi për herë të tretë Champions League si trajner, duke hyrë në një grup shumë të ngushtë teknikësh legjendarë si Pep Guardiola, Zinedine Zidane dhe Bob Paisley. Përpara tij qëndron vetëm Carlo Ancelotti me pesë trofe të fituar.
Madje, nëse PSG-ja arrin të triumfojë sërish sezonin e ardhshëm, Luis Enrique mund të barazojë rekordin e Zidane me tre Champions League të fituara radhazi.
Ka disa arsye që e bëjnë të besueshëm një skenar të tillë. E para lidhet me cilësinë e jashtëzakonshme të PSG-së, e cila ka filluar të dominojë Europën pikërisht në momentin kur projekti u fokusua më shumë te cilësia kolektive sesa te emrat e mëdhenj.
Një tjetër element është mënyra se si Luis Enrique menaxhon grupin gjatë sezonit. Në kampionat ai shpesh kursen energjitë e futbollistëve, duke i mbajtur në formën më të mirë të mundshme fizike dhe mendore për ndeshjet vendimtare të Champions League.
Një detaj domethënës është fakti se 10 lojtarë të formacionit titullar në finalen ndaj Arsenalit ishin të njëjtët që kishin luajtur edhe në finalen e vitit 2025 kundër Interit, çka tregon stabilitetin dhe vazhdimësinë e projektit.
Po aq i rëndësishëm është edhe mentaliteti i skuadrës. PSG-ja e sotme karakterizohet nga përulësia dhe fryma e grupit, në një kohë kur në përbërje nuk ka më superyje që monopolizojnë vëmendjen, por futbollistë të nivelit të lartë që punojnë për kolektivin.
Për vite me radhë, figura e Luis Enriques është shoqëruar edhe me tragjedinë personale që përjetoi pas humbjes së vajzës së tij, Xana, e cila ndërroi jetë si pasojë e një tumori në kocka. Megjithatë, trajneri spanjoll e përballoi dhimbjen me dinjitet të rrallë, pa e përdorur asnjëherë si justifikim.
“E ndjej gjithnjë pranë meje”, u shpreh ai shkurt kur u pyet për të bijën.
Në aspektin profesional, Luis Enrique ka aftësinë të imponojë idetë e tij te futbollistët, duke ndërtuar skuadra që funksionojnë si mekanizma perfektë. Loja e tij nuk mbështetet te individualitetet, por te lëvizjet e koordinuara, organizimi taktik dhe bindja se suksesi arrihet përmes punës kolektive.
Ndoshta Roma e vitit 2011 nuk ishte gati për një trajner me këto karakteristika. Ndoshta as futbolli italian i asaj kohe nuk ishte. Nuk ishte rastësi që, pas rezultateve të para negative, Luis Enriques iu kërkua të përshtatej më shumë me kulturën italiane të futbollit.
Ai, megjithatë, nuk hoqi dorë kurrë nga filozofia e tij, edhe kur rrezikonte shkarkimin.
Sot, 15 vite më vonë, lind natyrshëm pyetja: a do të ishte futbolli italian aktual gati për Luis Enriquen?
Përgjigjja mbetet e hapur. Pagat e tij dhe niveli i kërkesave ndoshta do të ishin të vështira për shumë klube italiane. Por mbi të gjitha mbetet dilema nëse tifozët dhe ambienti futbollistik do të pranonin zgjedhje të guximshme si lënia në stol e një portieri si Donnarumma për t’i besuar një lojtari tjetër, apo sakrifica të caktuara në kampionat për të synuar maksimumin në Europë.
Luis Enrique është pikërisht ky: një trajner që ndjek bindjet e tij deri në fund. Dhe PSG-ja, që vendosi t’i besojë, nuk ka arsye të pendohet.
Lini një Përgjigje