
Një gol kryevepër nga një goditje dënimi kundër Ekuadorit dhe një tjetër rekord i thyer. Me 29 gola në kualifikueset e Botërorit të Amerikës së Jugut, Lionel Mesi i është bashkuar Luis Suarezit si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.
Një tjetër rekord nga një lojtar që në moshën 36-vjeçare nuk dëshiron të ndalojë së befasuari, i cili me forcën e vetme të teknikës së tij të jashtëzakonshme mund të vazhdojë përgjithmonë. Klasi i tij i pafund nuk do të mbarojë kurrë.
Dhjetorin e kaluar, kur Lionel Mesi ngriti në qiell Kupën e Botës, shumë menduan: ishte shansi i tij i fundit, e luajti në mënyrën më të mirë dhe pikërisht për këtë e meritonte ta fitonte. Mendim legjitim, duke pasur parasysh moshën.
Por ndoshta nuk do të jetë kështu dhe ka një arsye specifike pse kampioni argjentinas shpreson të jetë në fushë në Botërorin 2026: i duhet ende të thyejë disa rekorde. Fillimisht, ai mund të jetë lojtari i parë që do të luajë në 6 Botërorë (me nga 5 pjesëmarrje, bashkë me të janë gjermani Mateus, italiani Bufon, meksikanët Karbahal, Markez, Guardado dhe Oçoa, plus portugezi Kristiano Ronaldo).
Mesi është tashmë lojtari me më shumë paraqitje në fazat finale të Botërorit (26) dhe golashënuesi më i mirë i Argjentinës, po ashtu në fazat finale të Botërorit, me 13 gola. Rekordi tjetër që i mungon është ai i golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në Botëror.
Vetëm Miroslav Klose është përpara tij, me 16 gola, por tashmë gjermani është “pensionuar”. Në vitin 2026, Leo do të jetë 39-vjeç dhe me cilësitë natyrale që zotëron, mund të jetë ende në gjendje t’i japë shumë kombëtares së tij.
Në kombëtaren e tij, ai ka arritur objektiva të tjera të cilat tashmë e kanë futur direkt në historinë e një vendi në të cilin, nuk ka luajtur kurrë me fanelën e një klubi. Me 104 gola në 176 ndeshje zyrtare, Mesi është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares argjentinase, por edhe golashënuesi më i mirë i Amerikës së Jugut me fanelën e kombëtares.
Lojtari më i mirë i Kupës së Botës 2014 dhe 2022, ai gjithashtu ka rekordin e lojërave të luajtura në një Botëror me shiritin e kapitenit: 19. Duke fituar Kupën e Ligës me fanelën e Inter Majemit, ai u bashkua me Dani Alvesh në renditjen e lojtarëve me më shumë trofe të fituar në karrierën e tij (klube + kombëtare).
Pra, arriti shifrën e 44 trofeve si Dani Alvesh, i cili megjithatë ka probleme të tjera për të menduar për momentin, sepse ndodhet në burg prej 20 janarit për përdhunim. Pikërisht për sa iu përket golave gjejmë figurat më mbresëlënëse në karrierën e këtij lojtari të jashtëzakonshëm. Ai ka rekordin e golave të shënuar me të njëjtën fanelë, atë të Barcelonës: 672 në të gjitha garat.
Askush nuk ka shënuar aq shumë sa ai në historinë e La Ligës spanjolle: 474 gola. Dhe meqë ra fjala, asnjë lojtar nuk ka shënuar kaq shumë gola në të njëjtin kampionat. Ai ka rekordin e golave të shënuar në ndeshjet mes Realit të Madridit dhe Barcelonës: 26 gola.
Ai mban rekordin për golat e shënuar në të njëjtin kampionat (50) në La Liga 2011-2012 dhe rekordin e golave të shënuar në të njëjtin vit kalendarik (91), po në vitin 2012. Edhe në Champions League, 120 golat e tij me Barcelonën përfaqësojnë rezultatin më të mirë të një lojtari me të njëjtën fanelë.
Ai fitoi “Këpucën e Artë” 6 herë, si askush tjetër në histori. Tetë herë ishte golashënuesi më i mirë në një nga katër ligat më të mira të Evropës. Dhe pastaj janë çmimet individuale. Triumfi i tij në “Topin e Artë” 2023 praktikisht merret si i mirëqenë, i cili do të jetë i teti.
Ai është i vetmi lojtar që e ka fituar atë në tri dekada të ndryshme, i vetmi që e ka ngritur katër herë radhazi. Ai ka qendruar në podium 13 herë (një tjetër rekord).
Duke fituar edicionin 2023 do të mund të mposhtë një tjetër rekord të vetin, atë të diferencës më të madhe kohore mes suksesit të parë (2009) dhe të fundit (aktualisht 2021). Ndërkohë, aventura tek Inter Majemi sapo ka filluar dhe vendi është i përsosur për të vazhduar argëtimin.
Lini një Përgjigje