
Kukësi ka marrë fitoren e parë në kampionat, teksa mundi 0-1 Skënderbeun. Verilindorët zhbllokuan ndeshjen në minutën e 29 me Endri Reçin.
Ata ishin skuadra e vetme pa pikë në këtë edicion, por kanë treguar se mund të thonë edhe ata fjalën e tyre, teksa u mbrojtën mirë përballë korçarëve dhe më pas thumbuan pikërisht në momentin më të mirë të vendasve.
Një supergol i Reçit me një gjuajtje nga distanca, vendosi fatin e kësaj sfide, pasi në vijimin e saj, Kukësi u mbrojt i organizuar dhe ia doli të administronte mirë situatat. Kështu, mori fitoren e parë, duke kthyer me këmbë në tokë Skënderbeun i cili në javët e para të këtij edicioni e shihte veten edhe si kryesues.
Korçarët gjetën golin e barazimit në fillimin e pjesës së dytë, por u anulua për pozicion jashtë loje.
Sfida ishte mjaft interesante, ku rastet nuk munguan nga të dyja skuadrat. Në minutën e 65, Liço tentoi nga larg, por përgjigja e Tafas ishte e menjëhershme. Me këtë rezultat, ekipi i Nicës renditet në vendin e fundit me 3 pikë, ndërsa Skënderbeu pozicionohet në vendin e gjashtë me 6 pikë.
Lini një Përgjigje