
Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza është mposhtur në shtëpi nga Uellsi me rezultatin 0-1, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2027. Sfida u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 28-të nga Rhianon Roberts. Mbrojtësja e përfaqësueses uellsiane përfitoi nga një moment i favorshëm dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së saj.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, vajzat kuqezi nuk arritën të rikthenin baraspeshën. Shqipëria krijoi disa raste të mira shënimi dhe goditi dy herë traversën, por pa mundur të konkretizonte.
Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet në vendin e tretë të grupit me 3 pikë të grumbulluara. Uellsi, nga ana tjetër, ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë. Në këtë grup bëjnë pjesë gjithashtu edhe përfaqësueset e Çekisë dhe Malit të Zi.
Lini një Përgjigje