
Kryeqyteti “vishet i kuq”. Partizani mposht Dinamon me rezultatin e pastër 2-0 dhe fiton derbin e kryeqytetit.
“Të kuqtë” zhbllokuan ndeshjen në minutën e 30 me sulmuesin Bintsuka. Pas një harkimi nga goditja e dënimit, topi shkoi te Sembene që goditi me kokë. Topi u përplas në fillim në shtyllë dhe më pas u kthye te Bintsuka, i cili nuk fali duke përshëndetur rrjetën.
Në minutën e 45+2, arbitri akordoi penallti për Dinamon, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Zabërgjës, që mbërriti para Atanaskoskit, i cili ndërhyri në mënyrë të gabuar.
Në minutën e 45+5, portieri Pano Qirko bëri heroin dhe i priti penalltinë Denisonit.
Në minutën e 47, Gudiabi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Dinamon me 10 lojtarë, pas përplasjes me Muratajn. Edhe kapiteni i Partizani u ndëshkua me kartonin e verdhë.
Në minutën e 70, Partizani realizoi edhe golin e qetësisë. Albers Keko erdhi nga stoli dhe gjeti rrugën e rrjetës për t’i dhënë 3 pikë të arta Partizanit në luftën për “Final Four”.
Me këtë fitore, Partizani renditet në vendin e 3 me 51 pikë, ndërsa Dinamo mban vendin e 4 me 46 pikë, po aq sa Tirana, por bardheblutë kanë një ndeshje më pak.
Në sfidën tjetër, atë të luajtur në “Niko Dovana”, Teuta dhe Vllaznia kanë ndarë pikët, teksa 90 minutëshi i këtij takimi është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Me këtë barazim, Teuta renditet në vendin e 7 me 38 pikë, po aq sa Laçi që u mund ditën e sotme nga Egnatia, ndërsa Vllaznia mban vendin e 2 me 52 pikë.
Lini një Përgjigje