
Pavarësisht testeve mjekësore që kaloi dje në Milano, transferimi i Lazar Samarxhiç tek Interi është në rrezik të madh. Mesfushori i njohur ka ndryshuar agjent dhe ia ka besuar këtë pozicion babait të tij.
Lajmi i bujshëm vjen nga mediat italiane, të cilat kanë mësuar se babai i futbollistit është bërë problem duke çuar në ndalesën e firmës mes palëve.
21-vjeçari Samarxhiç shihej si një përforcim për të ardhmen e mesfushës së zikaltërve, një konkurrent direkt për Kristjan Asllanin me të cilin do të ndante minutat nga pankina në këtë sezon. Por një vizitë e babait të tij në zyrat e klubit, ka bërë që marrëveshja të mbetet në vendnumëro.
Interi në fakt kishte gjetur akordin për transferimin me Rafaela Pimenta, avokaten e njohur, e cila ka trashëguar lojtarët e menaxhuar nga i ndjeri Mino Raiola. Por Samarxhiç ka vendosur të shkëputet nga ajo dhe babai i tij ka marrë përsipër rolin e negociatorit. Raportohet se në vizitën e sotme në klub, ai ka “devijuar” nga akordi i gjetur mes Interit dhe futbollistit, teksa kishte pretendime të tjera ekonomike.
Në këtë situatë, Interi ka ndërprerë menjëherë bisedimet dhe i ka dhënë dy ditë kohë, për të pranuar marrëveshjen e arritur pak ditë më parë, apo për të anuluar plotësisht transferimin.
Lini një Përgjigje