Dy trajnerë, një përçarje politike dhe një sfidë mes Eto’o dhe pushtetit 40-vjeçar të Biya...
Vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Afrikës, që fillon të dielën më 21 dhjetor në Marok, përfaqësuesja e Kamerunit ndodhet në një situatë të paprecedentë: ka dy trajnerë zyrtarë, të dy me lista të ndryshme lojtarësh të thirrur. Kjo përplasje e paprecedentë është vetëm maja e ajsbergut të një konflikti të thellë institucional që po përçan sportin dhe politikën në vend.
Nga njëra anë qëndron Ministria e Sporteve, pjesë e administratës së presidentit Paul Biya, në pushtet që nga viti 1982. Nga ana tjetër, Federata e Futbollit të Kamerunit (FECAFOOT), e drejtuar nga i vetmi njeri në vend që guxon të sfidojë karizmën dhe ndikimin e Biya-s: ish-ylli i Barcelonës dhe Interit, Samuel Eto’o.
Përplasja e hapur: Dy trajnerë për një kombëtare
Kriza shpërtheu në nëntor, gati një muaj para turneut, kur Samuel Eto’o vendosi të shkarkojë trajnerin belg Marc Brys, pas dështimit të dhimbshëm të Kamerunit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. Por ministri i Sporteve, Narcisse Mouelle Kombi, e konfirmoi Brys-in në detyrë, duke shpërfillur vendimin e FECAFOOT-it. Si kundërpërgjigje, Eto’o emëroi trajner të ri kamerunasin David Pagou.
Edhe pse ligjërisht të dy figurat janë në pozicion zyrtar, Pagou pritet të jetë ai që do të drejtojë kombëtaren në turne. Por përplasja me Brys është vetëm simptomë e një lufte të thellë politike për kontrollin e futbollit dhe, më gjerë, të opinionit publik kamerunas.
Eto’o në ofensivë politike, Biya në mbrojtje absolute
Që nga zgjedhja e tij si president i federatës më 11 dhjetor 2021, Samuel Eto’o u prit me entuziazëm, me shpresën se do të shpëtonte futbollin kamerunas nga dekadat e krizës. Por në vend të një reformatori të butë, Eto’o u shfaq si një drejtues autoritar, i vendosur për të pastruar dhe kontrolluar çdo hallkë të sistemit futbollistik.
Konflikti me qeverinë filloi në prill 2024, kur ministri Kombi shpalli drejtpërdrejt emërimin e Brys si trajner, pa u konsultuar me FECAFOOT-in. Sipas gazetës Le Monde, vetë presidenti Paul Biya miratoi emërimin e belgut, duke treguar që në këtë çështje kishte më shumë sesa thjesht sport.
Burimet zyrtare nuk kanë sqaruar publikisht arsyet e kësaj përplasjeje, por hipoteza më e përhapur është ajo e një konflikti mes dy figurave me peshë: Biya dhe Eto’o. Në një vend ku presidenti do të mbushë 93 vjeç në shkurt 2025, dhe ku nuk ka sinjale për të lënë pushtetin, ekziston frika në rrethin presidencial se Eto’o po përgatitet për një lëvizje politike.
Vetë Eto’o ka mohuar disa herë ambicien për t’u kandiduar për president. Por me përparimin e moshës së Biya-s, çështja e pasardhësit është bërë e pashmangshme. Rrethi i ngushtë i Biya-s e sheh Eto’o-n si rrezik të mundshëm, dhe përpiqet ta izolojë, sidomos pas dështimit të kombëtares për Botërorin – një pretekst që Eto’o përdori për të larguar trajnerin e emëruar nga qeveria.
Eto’o në avantazh: Kontrolli i plotë mbi futbollin
Për momentin, duket se Eto’o ka rikuperuar terren dhe kontroll. Më 29 nëntor, ai u rizgjodh si president i FECAFOOT (duke qenë kandidati i vetëm), ndërsa emërimi i Pagou-s si trajner i kombëtares tregon se federata ka rimarrë frenat. Një paraqitje e mirë në Kupën e Afrikës – që Kameruni nuk e ka fituar që nga viti 2017 – mund ta konsolidojë edhe më shumë pozicionin e tij.
Nga ana tjetër, Paul Biya u rizgjodh president në tetor dhe, sipas Kushtetutës, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2032 – në moshën 99-vjeçare. /Përshtatur nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje