
PSV Eindhoven ka eliminuar skuadrën e tretë italiane në dy ditë në Ligën e Kampioneve. Juventusi ka pësuar fatin e Milanit dhe Atalantës duke i dhënë lamtumirën turneut në këtë pikë të tij, pasi është mundur në Holandë me shifrat 3-1 pas kohëve shtesë.
Bardhezinjtë duhej të menaxhonin fitoren 2-1 të ndeshjes së parë dhe në fraksionin e parë të lojës ia dolën, duke mos lejuar vendasit të rrezikonin portën e Di Gregorios. Por në të dytën, holandezët u futën më ngulmues në fushë dhe ia dolën të gjenin golin me Perishiç.
Goli i Ueah i dha përsëri shpresë italianëve, por vendasit shënuan me Saibari dhe detyruan që sfida të shkonte në shtesa. Aty, goli i shpejtë i Flamingo u dha vendasve avantazhin që ata e ruajtën me shumë kujdes dhe siguruan kalimin mes 16 ekipeve më të mira me golavarazhin e përgjithshëm 4-3 duke eliminuar skuadrën italiane.
Në ndeshjet e tjera të luajtura mbrëmjen e sotme, Reali i Madridit dhe PSG-ja kanë prerë biletën për në raundin e 1/16 të Champions League. Madrilenët kanë mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Mançester Sitin.
Kilian Mbape hapi serinë e golave që në minutën e 4 të takimit. Asencio nisi një super top pas shpinës së mbrojtjes së ekipit anglez dhe francezi ishte ai që perfitoi nga një gabim i Ruben Dias dhe me parabol realizoi duke mposhtur Ederson. Nisje zjarr e djemve te Ançelotit, teksa u dëmtua gjithashtu edhe Stons dhe në vend të tij hyri Ake.
Mbape realizoi het-trik ndaj Sitit dhe mbylli llogaritë me ekipin e Pep Guardiolës, pasi tashmë i ka shënuar mes ndeshjes në Angli dhe në Spanjë katër gola.
Sulmuesi francez ishte protagonist absolut duke marrë përsipër dhe udhëhequr skuadrën spanjolle.
PSG ka kaluar me shumë lehtësi në turin tjetër të Ligës së Kampioneve, teksa ka mundur edhe në ndeshjen e kthimit bashkëkombësit e Brest.
Nëse në ndeshjen e parë kishte fituar vetëm me shifrat 3-0, skuadra e Luis Enrikes nuk është kursyer në sfidën e kthimit në fushën e vet, duke shënuar 7 gola me 7 lojtarë të ndryshëm, për të siguruar pa asnjë lloj shqetësimi kalimin në turin tjetër me golavarazhin e përgjithshëm 10-0.
Lini një Përgjigje