
Lajmi për ndarjen nga jeta të Erjon Morinës ka tronditur të gjithë botën e sportit dhe jo vetëm. Futbollisti i Vushtrisë ndërroi jetë, teksa nuk mundi të fitonte “luftën” për jetën dhe mbylli sytë përgjithmonë.
22-vjeçari prej disa javësh ndodhej i shtruar në spital. Në tetor pësoi një sulm në zemër gjatë seancës stërvitore me skuadrën e Vushtrisë.
Reagimet janë të shumta, ku mes tyre edhe ai i Agim Ademit. Kreu i FFK-së i shpreh ngushëllime familjarëve, ndërsa prek me mesazhin ndaj tij.
Postimi i Federatës së Futbollit të Kosovës:
Prishtinë, 12 dhjetor 2024
E nderuar Familje Morina,
Të nderuar drejtues dhe staf i FC Vushtrria,
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të birit tuaj të dashur, futbollistit të talentuar të FC Vushtrria, Erjon Morina.
Humbja e Erjonit na ka prekur thellë, jo vetëm si komunitet futbolli, por edhe si shoqëri.
Ikja e parakohshme nga kjo botë ka ndalur ëndrrat e tij rinore dhe karrierën e tij premtuese, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë neve.
Erjoni ishte një futbollist me plot pasion – ai ishte një djalë shembullor dhe i përkushtuar për realizimin e ëndrrave të tij, por Perëndia e deshi më herët afër vetes.
Ndarja e tij na la të pikëlluar, por kujtimi për të mbetet i paharruar në zemrat e familjes, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.
Në këto momente të vështira, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit. Ne jemi pranë jush në këtë dhimbje të madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Erjonin!
Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së
Lini një Përgjigje