
Olsi Teqja është tërhequr zyrtarisht nga futbolli i luajtur. Lajmin e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi me një postim në rrjetet sociale.
Që nga debutimi në Superiore, Teqja numëron plot 329 ndeshje në karrierë ku shënoi 6 gola e 1 asist. Në repertorin e tij ai ka ngritur 3 herë Kupën e Shqipërisë me 3 skuadra të ndryshme, Laçin, Tiranën e Kukësin, ndërsa ka dalë edhe kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën e Tetovës.
Gjatë gjithë karrierës, Teqja njihej si një futbollist me grintë, dëshirë, pasion e agresivitet sportiv, tipik nga ata lojtarët që trajnerët i duan me çdo kusht në fushë.
“Gjithmonë e mendoja por asnjëherë nuk e pranoja faktin që nuk do luaja më futboll. Ka ardhur momenti të tërhiqem nga kjo lojë që e duan aq shumë te gjithë dhe i jam falenderues për të gjitha emocionet që më fali prej afro 2 dekada.
Falenderoj të gjitha ekipet ku kam luajtur Oise, Beauvais, Shkëndija, Tirana, Kukësi, Laçi, Kastrioti, Apolonia, Bylis. Presidentët, drejtuesit, trajnerët që kam punuar, sidomos të gjithë lojtarët, miqtë e shokët që kam njohur nga sporti. Së bashku kaluam momente të paharrueshme që do i kujtojmë me nostalgji.
Pa harruar një falenderim për çdo tifoz sepse pa ju kjo lojë nuk do kishte asnjë kuptim. Rishihemi në projekte të reja në fushën e sportit duke dhënë kontributin tim dhe eksperiencën time”, shkruan Teqja.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje