
Një aventurë e fundit në moshën 40-vjeçare për të thënë se ka luajtur edhe në vendin e tij dhe për ta mbyllur ciklin. Paolo Guerrero nënshkroi pak ditë më parë një kontratë me Universidad Çezar Valejo, me synimin për të shkruar kapitullin e fundit të karrierës së tij shumë të gjatë dhe për t’u rilidhur me familjen, por mesa duket kjo eksperiencë është e destinuar të përfundojë ende pa nisur.
Në fakt, sulmuesi ende nuk ka debutuar për skuadrën e tij të re, por tashmë ka kërkuar ndërprerjen e kontratës. Çezar Akunja, presidenti i Çezar Valejo, ka shpjeguar arsyet e zgjedhjes së bujshme të Guerreros:
“Unë e kuptoj Paolon. Në të njëjtën ditë kur nënshkroi kontratën me ne, disa kriminelë kërcënuan nënën e tij. Ai po reflekton, po zgjedh mes familjes dhe futbollit. Do ta bëja edhe unë”.
Çezar Akunja ka bërë të ditur tashmë se është gati të përmbushë dëshirat e Guerreros dhe të gjejë një marrëveshje miqësore për zgjidhjen e kontratës. Paolo Guerrero u rrit si futbollist në Alianza Lima, por nuk pati mundësinë të debutonte në nivel profesional me ekipin e zemrës.
Në vitin 2002, kur ishte vetëm 18-vjeç, u transferua në Gjermani për t’iu bashkuar Bajernit të Mynihut. Që atëherë, eksperiencat me Hamburgun, Korinthiasin, Flamengon, Internacionalin, Avain, Rejsing dhe Liga de Kuito, si dhe golat e shumtë të shënuar nëpër botë, kanë qenë CV-ja e tij.
Asnjëherë nuk ka pasur mundësi të luajë në Peru dhe në të kaluarën kishte paralajmëruar se do ta bënte vetëm duke veshur fanelën e Alianza Limës në Peru.
Lini një Përgjigje