
Kupa e Mbretit ka humbur një protagonist kryesor në natën e së enjtes, Realin e Madridit, i cili u eliminua në derbi nga Atletiko pa arritur në çerekfinalet e turneut. Por edhe në turin tjetër do të ketë përplasje që do të largojnë nga gara pretendentë.
Në shortin e hedhur sot, goglat kanë dhuruar përplasje shumë interesante në turin tjetër që luhet në mesjavën e ardhshme. Ashtu si në këtë tur, sfidat do të vendosen përsëri në një ndeshje të vetme.
Atletiko e Madridit, pasi eliminoi Realin, ka peshkuar përsëri një kundërshtar shumë të fortë, pasi do të përballet me Seviljen. Por ashtu si në ndeshjen e së enjtes, madrilenët do të luajnë në shtëpi, duke pasur një armë më shumë në dispozicion për të kaluar turin.
Ndërkaq, Barcelona do të ketë një transfertë të vështirë përballë Atletik Bilbaos, një klasike e këtij turneu dhe padyshim një rival shumë i vështirë për katalanasit që nuk po kalojnë një formë të mirë.
Ndërkohë, surpriza e këtij sezoni në Spanjë, Zhirona, do të luajë kundër Majorkës në transfertë. Ndeshja tjetër çerekfinale do të jetë ajo mes Selta Vigos dhe Real Sociedad.
Lini një Përgjigje