
Kombëtarja e Gjermanisë ka marrë një goditje të rëndë vetëm pak javë para nisjes së Kampionatit Botëror 2026. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Serzh Gnabri nuk do të jetë pjesë e turneut, pas një dëmtimi serioz të konfirmuar zyrtarisht nga stafi mjekësor i klubit bavarez.
Sipas ekzaminimeve të fundit, lojtari ka pësuar një dëmtim në kofshën e majtë, që kërkon një periudhë të zgjatur rikuperimi. Mjekët kanë bërë të ditur se Gnabri do të qendrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në kompeticionin më të madh të futbollit botëror.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për përfaqësuesen gjermane, ku Gnabri konsiderohej si një nga elementët kryesorë të repartit ofensiv në planet e trajnerit Julian Nagelsman. Mungesa e tij krijon një boshllëk të ndjeshëm në krahun e sulmit, për të cilin stafi teknik duhet të gjejë alternativa në një kohë të kufizuar.
Vetë lojtari ka shprehur zhgënjimin përmes reagimeve të tij, duke e cilësuar këtë si një moment të vështirë në karrierë, ndërsa fokusi tashmë mbetet te rikuperimi dhe rikthimi sa më i shpejtë në fushë.
Lini një Përgjigje