
Futbolli francez është në zi pas ndarjes nga jeta të Jean-Pierre Escalettes, ish-president i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), i cili u shua në moshën 90-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga vetë Federata Franceze e Futbollit përmes një komunikate zyrtare, ku vlerësohet kontributi i tij i gjatë dhe i përkushtuar në sport.
Sipas deklaratës së FFF, Escalettes konsiderohej një figurë e respektuar dhe e dashur në futbollin francez, i cili i kushtoi gjithë jetën këtij sporti. Ai e nisi rrugëtimin si futbollist, për të vijuar më pas si trajner dhe drejtues klubi, duke arritur deri në drejtimin e institucionit më të lartë të futbollit në Francë.
Jean-Pierre Escalettes drejtoi federatën në periudhën 2005–2010, një kohë e shënuar nga disa ngjarje të rëndësishme për futbollin francez. Ndër momentet kryesore gjatë mandatit të tij përmendet humbja e Francës në finalen e Kupës së Botës 2006 ndaj Italisë, si dhe sigurimi i të drejtës për organizimin e Kampionatit Europian 2016, vendim i marrë në vitin 2010.
Megjithatë, fundi i mandatit të tij u shoqërua me rezultate zhgënjyese, veçanërisht eliminimi i Francës në fazën e grupeve të Botërorit 2010, një situatë që çoi në dorëheqjen e tij nga posti i presidentit.
Lini një Përgjigje