Stiven Shpendit i mjaftuan vetëm 32 sekonda për të gjetur rrugën e rrjetës në sfidën që Empoli po zhvillon ndaj Monzës, duke zhbllokuar menjëherë takimin në një moment shumë të rëndësishëm për ekipin e tij.
Ndërkohë, edhe Kristian Shpendi shkëlqeu me fanelën e Çezenës në përballjen kundër Padovës. Sulmuesi shqiptar realizoi që në minutën e pestë dhe vetëm dy minuta më vonë dhuroi edhe një asist, duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas.
Në pak minuta lojë, binjakët Shpendi arritën të regjistronin dy gola dhe një asist, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që kanë treguar gjatë gjithë sezonit në Itali.
Java e fundit e kampionatit mbetet vendimtare për objektivat e skuadrave të tyre. Empoli i Stiven Shpendit lufton për të siguruar mbijetesën në Serinë B, ndërsa Çezena e Kristianit synon një vend në fazën “play off”.
Të dy lojtarët kanë spikatur edhe në aspektin individual gjatë këtij edicioni. Stiven Shpendi numëron 14 gola dhe 2 asiste në kampionat, duke u renditur i treti në listën e golashënuesve më të mirë. Nga ana tjetër, Kristian Shpendi është pjesë e “Top 10”-shes së kampionatit me 11 gola dhe 5 asistime.
Lini një Përgjigje