
Pesë javë para përfundimit të sezonit të rregullt në Kategorinë Superiore, gara për objektivat kryesorë mbetet plotësisht e hapur, si në krye të renditjes për sigurimin e një vendi në “Final Four”, ashtu edhe në fundin e tabelës për mbijetesën.
Sipas Drejtorit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, kampionati po zhvillohet në një nivel të lartë konkurrueshmërie. Në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF-së, ai theksoi se deri në këtë fazë vetëm Vllaznia e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në fazën finale.
Luftë e fortë për “Final Four” dhe mbijetesë
Sulejmani bëri të ditur se pesë skuadra të tjera janë ende në garë për tre vendet e mbetura në “Final Four”, çka e mban të hapur rivalitetin në javët e fundit të sezonit.
Në të njëjtën kohë, edhe fundi i renditjes paraqitet mjaft i tensionuar. Dy skuadrat e fundit do të bien drejtpërdrejt nga kategoria, ndërsa skuadra e renditur në vendin e tetë do të përballet në “play-off” me një ekip të Kategorisë së Parë për të siguruar qëndrimin në elitë.
Ndryshim në formatin e “Final Four”
Sa i përket fazës finale, ky është sezoni i tretë që aplikohet formati “Final Four”. Megjithatë, këtë vit është parashikuar një ndryshim i rëndësishëm: katër skuadrat e para do ta nisin këtë fazë me pikët e përgjysmuara.
Gjysmëfinalet janë planifikuar të zhvillohen më 16 dhe 17 maj, ndërsa ndeshjet finale dhe përmbyllëse do të luhen në datat 23-24 dhe 29-31 maj në stadiumin “Air Albania”.
Skema e shpërblimeve
Drejtori i Garave bëri publike edhe shpërblimet financiare për ekipet pjesëmarrëse në “Final Four”. Sipas skemës:
Vendi i parë: 10 milionë lekë të rinj
Vendi i dytë: 7 milionë lekë të rinj
Vendi i tretë: 5 milionë lekë të rinj
Vendi i katërt: 2 milionë lekë të rinj
Lini një Përgjigje