
Mbrëmja e 4 shtatorit 2004 do të mbetet gjatë në kujtesën e sportdashësve shqiptarë. Në stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua ndeshja historike Shqipëri–Greqi, vetëm dy muaj pasi fqinjët kishin ngritur lart trofeun e Kampionit të Europës, duke mposhtur Portugalinë në finale.
Atmosfera në Tiranë ishte elektrizuese dhe entuziazmi i tifozëve shpërtheu që në minutat e para. Brenda 10 minutave të para, kuqezinjtë tronditën kampionët e Evropës: fillimisht me golin e Altin Muratit dhe më pas me atë të Adrian Aliajt, duke e kthyer stadiumin në një arenë “vullkanike”.
Greqia arriti të ngushtonte shifrat me Janakopulos, por deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar 2-1. Një fitore e madhe për Shqipërinë, që jo vetëm i dha fund mitit të “të pathyeshmëve”, por shkroi një faqe të artë në historinë e futbollit shqiptar.
Festimet nuk u kufizuan vetëm në Shqipëri. Flamuri kuqezi u valëvit me krenari në çdo cep të globit ku jetonin shqiptarë. Kryeqyteti u ‘përmbyt nga një det’ festues, ndërsa banderola simbolike “Këtu nuk është Portugali” shënoi ironinë ndaj kampionëve europianë.
Megjithatë, entuziazmi i fitores u shoqërua nga një ngjarje tragjike. Në Zakintos të Greqisë, tifozi shqiptar Gramoz Palushi, vetëm 20 vjeç, u vra brutalisht për shkak të festës së tij të sinqertë për kombëtaren. Vdekja e tij tronditi opinionin publik dhe mbetet një plagë e hapur, që kërkon respekt
Sot, 21 vite më pas, kujtimi i atij suksesi mbetet i pashlyeshëm, si maja emocionale e Kombëtares. 600 mijë euro premio akordoi qeveria shqiptare e asaj kohe për ekipin. 4 shtatori 2004 do të kujtohet gjithmonë si dita kur futbolli shqiptar arriti një nga fitoret më të mëdha të historisë së tij, por edhe si dita që solli dhimbjen për humbjen e Gramoz Palushit për flamur.
Për këtë ndodhi, sot, 21 vite më pas reagoi edhe grupimi 'Tifozat Kuq e Zi'. "Gramoz Palushi ra për flamur", shkruan TKZ.
Shqipëri 2-1 Greqi - 4 shtator 2004 në 'Qemal Stafa'
Shqipëria: Foto Strakosha; Elvin Beqiri, Ardian Aliaj, Besnik Hasi, Altin Lala, Lorik Cana, Klodian Duro, Florian Myrtaj, Ervin Skela, Edvin Murati, Igli Tare Trajner: Hans-Peter Brigel
Greqia: Antonis Nikopolidis, Nikos Dabizas, Mihalis Kapsis, Panajotis Fisas, Jorgos Seitaridis, Anxhelos Basinas, Kostas Kaçuranis, Teodoros Zagoraqis, Jorgos Karagunis, Zisis Vrizas, Anxhelos Aristeas Trajner: Oto Rehagel
Lini një Përgjigje