
Nedim Bajrami aktualisht është i angazhuar me Kombëtaren shqiptare, ku në orën 18:00 kuqezinjtë do të luajnë miqësoren me Gjibraltarin. Mesfushori pritet të jetë si gjithmonë titullar në formacionin e Silvinjos, pasi siç dihet është një element kyç te kuqezinjtë.
Por lideri i Kombëtares merr lajmin e keq nga Skocia. Trajneri i Rejnxhërsit nuk e ka grumbulluar për ndeshjen e Ligës së Europës. Rasëll Martin e ka lënë jashtë liste, duke vendosur të mos mbështetet te shërbimet e shqiptarit.
Një veprim ky që tregon se Bajrami në këtë sezon nuk është në planet e stafit të skocezëve dhe se e ardhmja e tij te Rejnxhërs duket e paqartë dhe mjaft shqetësuese. Ky sezon për ekipin skocez nuk ka nisur siç duhet, pasi pas 4 javësh ia kanë dalë të grumbullojnë vetëm 4 pikë në kampionat.
Ndërkohë vlen të theksohet se kjo është hera e dytë që Bajrami nuk preferohet për ndeshjet europiane nga Martin. Mesfushori ishte jashtë liste edhe për sfidën e “play off” të Champions League që Rejnxhërs u mposht nga Klub Bryzh.
Por në kampionat, në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Sëlltikut, Bajrami hyri në fushë për 14 minuta. Kujtojmë se dueli i radhës për Rejnxhërsin në grupet e Ligës së Europës është ndaj Genk më 25 shtator në orën 21:00, përballje që do të luhet në “Ibrox Stadium”.
Lini një Përgjigje