TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Prill 2026, 15:21

Fitorja e Arsenalit kundër Sportingut lumturon Premier Ligën, Anglia zyrtarisht me 5 ekipe në Champions sezonin e ardhshëm

Shkruar nga Pamfleti

Fitorja e Arsenalit kundër Sportingut lumturon Premier Ligën, Anglia

Fitorja minimale 1-0 e Arsenalit ndaj Sportingut të Lisbonës në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve ka forcuar ndjeshëm pozitat e Anglisë në renditjen e koeficientëve të UEFA-s. Ky rezultat i hap rrugën Premier Ligës që të sigurojë zyrtarisht një vend shtesë në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Gjatë këtij sezoni, Anglia ka kryesuar vazhdimisht renditjen e UEFA-s, duke arritur në kuotën e 25.013 pikëve. Diferenca me vendin e dytë, Spanjën, është e konsiderueshme, çka e vendos Premier Ligën në një pozitë të favorshme për shpërndarjen e vendeve në kompeticionet evropiane.

Të nëntë klubet angleze pjesëmarrëse në kompeticionet evropiane arritën të kualifikohen në fazën e 1/8-ave, duke regjistruar rezultate pozitive si në fazën e grupeve ashtu edhe në raundet me eliminim direkt. Kjo ecuri ka qenë vendimtare në rritjen e koeficientit të Anglisë.

Si pasojë, vendi i pestë në renditjen e Premier Ligës sezonin e ardhshëm pritet të sigurojë një vend në Ligën e Kampioneve.

Aktualisht, Liverpuli mban vendin e pestë me 49 pikë, ndërsa diferenca me vendin e 13-të, ku renditet Bërnmuthi, është vetëm 7 pikë. Mes këtyre pozicioneve ndodhen disa skuadra si Çelsi, Brentfordi, Evertoni, Fulham, Brajton, Sandërlendi dhe Njukasëlli, duke e bërë garën për zonën evropiane tepër të ngushtë.

Ekzistojnë edhe skenarë që mund ta rrisin më tej përfaqësimin anglez në Champions League. Nëse Aston Vila, aktualisht në vendin e katërt, fiton Ligën e Europës dhe përfundon kampionatin në vendin e pestë, Anglia mund të dërgojë gjashtë skuadra në këtë kompeticion.

Një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe nëse Liverpuli fiton Champions League dhe renditet jashtë katërshes së parë. Në rast se të dyja skuadrat fitojnë trofe evropianë dhe përfundojnë në vendet e pesta dhe të gjashta, ekziston mundësia që edhe skuadra e vendit të shtatë të kualifikohet në Ligën e Kampioneve.

Renditja aktuale e UEFA-s sipas koeficentëve:

Anglia – 25.013

Spanja – 20.281

Gjermania – 19.714

Portugalia – 18.900

Italia – 18.714

arsenal champions league premier liga

Lini një Përgjigje