
Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të trajnerit të njohur rumun, Mirçea Luçesku, në moshën 80-vjeçare. Figura të shumta të sportit kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e një prej emrave më të respektuar të trajningut europian.
Mes reagimeve publike, trajneri i Atletikos së Madridit, Diego Simeone, foli për marrëdhënien e tij me Luçeskun, pak para një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve. Argjentinasi ndau kujtime nga fillimet e karrierës së tij, kur ishte nën drejtimin e teknikut rumun te Piza në Serinë A.
Simeone theksoi lidhjen personale që kishte krijuar me trajnerin:
“Kam një kujtim të shkëlqyer për të, dua t’i çoj një mesazh ngushëllimi familjes,” u shpreh ai për “Sky”.
Ai rikujtoi sezonin 1990-1991, kur në moshën 20-vjeçare hodhi hapat e parë në futbollin e niveleve të larta:
“Më merrte për të ngrënë në shtëpinë e tij dhe më mbronte, pasi isha ende një djalosh i ri.”
Simeone e përshkroi Luçeskun si një trajner të madh dhe një njeri me vlera të larta njerëzore:
“Kam një kujtim të shkëlqyer si për personin, ashtu edhe për trajnerin. Shifrat flasin vetë. Ishte një njeri i përulur dhe me zemër.”
Mirçea Luçesku konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm dhe me ndikim në futbollin europian, me një karrierë të gjatë dhe rezultate që kanë lënë gjurmë në disa kampionate.
Lini një Përgjigje