
Mirçea Luçesku, një nga figurat më të spikatura të futbollit ndërkombëtar, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Ai humbi jetën pas një ataku në zemër, ndërsa ishte i shtruar në Spitalin Universitar, ku po trajtohej prej disa ditësh.
Sipas informacioneve, problemet shëndetësore të Luçeskut nisën gjatë grumbullimit të kombëtares së Rumanisë, përpara ndeshjes miqësore ndaj Sllovakisë, të cilën ai nuk arriti ta ndjekë. Trajneri u transportua me urgjencë në spital, ku më 3 prill pësoi një atak në zemër.
Gjendja e tij u përkeqësua në ditët në vijim, duke kaluar në koma dy ditë para se të ndahej nga jeta. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetonte.
Vdekja e tij vjen vetëm pak ditë pasi u largua si trajner i kombëtares rumune. Ky vendim erdhi pas dështimit për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Luçesku ishte emëruar në këtë detyrë në gusht të vitit 2024. Më herët, ai kishte marrë rekomandime nga mjekë në Rumani dhe Belgjikë për t’u tërhequr nga detyra për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
I njohur me nofkën “Il Luce”, Mirçea Luçesku la pas një karrierë të pasur dhe të suksesshme, duke fituar gjithsej 37 trofe. Ai renditet ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, pas emrave si Sër Aleks Ferguson dhe Pep Guardiola.
Kulmi i karrierës së tij lidhet me drejtimin e Shakhtar Donjeckut, ku fitoi tetë tituj kampion në Ukrainë dhe Kupën UEFA në vitin 2009.
Në Turqi, ai pati sukses me Gallatasarajin dhe Beshiktashin, duke fituar tituj kampionati, si dhe Superkupën e UEFA-s me Gallatasarajin në vitin 2000. Në vendlindje, fitoi kampionatin me Dinamon dhe Rapidin e Bukureshtit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Luçesku drejtoi një sërë klubesh dhe ekipesh kombëtare, përfshirë Corvinul, Dinamo Bukuresht, Piza, Bresha, Rexhiana, Rapid Bukuresht, Inter, Gallatasaraji, Beshiktash, Shakhtar Donjeck, Zenit Shën Petersburg, Dinamo Kiev dhe kombëtaren turke.
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij mbetet periudha e parë në krye të kombëtares së Rumanisë në vitet ’80, kur arriti të kualifikojë ekipin për Kampionatin Evropian 1984, duke shënuar një arritje historike për “Trikolorët”.
Lini një Përgjigje