
Lindja e Mesme po përballet me një situatë të tensionuar për shkak të konfliktit në Iran dhe zhvillimeve të tjera në rajon, çka pritet të ketë ndikim edhe në botën e futbollit. Një nga sektorët që mund të preket drejtpërdrejt është merkatoja e verës, ku parashikohen ndryshime të rëndësishme.
Prej disa vitesh, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë konsideruar destinacione tërheqëse për futbollistët, falë kontratave të majme financiare. Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se po ndryshojnë këtë trend, pasi një pjesë e lojtarëve kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga këto kampionate.
Mes emrave që kanë dhënë sinjale për largim përmenden Musa Diabi (Al Itihad), Frenk Kesi (Al Ahli) dhe Mateo Retegi (Al Qadsiah), të njohur për kontributin e tyre në futbollin italian. Po ashtu, në qarkullim janë edhe emra të tjerë të rëndësishëm si Teo Hernandez, Kalidu Koulibali, Luis Alberto, Sergej Milinkoviç-Saviç dhe Marselo Brozoviç, të cilët mund të ndryshojnë skuadër gjatë verës.
Ndërkohë, situata prek edhe futbollistët shqiptarë që aktivizohen në rajon. Mario Mitaj vijon aktivitetin e tij, ndërsa Jasir Asani dhe Regi Lushkja, që luanin në Iran, ndodhen në një situatë të paqartë për shkak të ndërprerjes së kampionatit.
Aktualisht nuk ka sinjale të qarta për stabilizim të situatës. Në këto kushte, merkatoja verore mund të shënojë një kthesë të fortë, me pasoja të mundshme negative për zhvillimin e futbollit në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje