
Një episod i pazakontë ka tërhequr vëmendjen pas finales së tensionuar të “play-off”-it mes Italisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Afan Cizmic, një 14-vjeçar që shërbente si mbledhës topash, është identifikuar si personi që mori shënimet e detajuara të portierit italian Xhanluixhi Donaruma gjatë gjuajtjes së penalltive.
Sipas raportimeve, i riu vuri re se Donaruma kishte lënë një fletë me informacion pranë peshqirit, larg vijës së portës. Në një moment shpërqendrimi të portierit, Cizmic arriti ta marrë dokumentin, i cili përmbante të dhëna të sakta mbi preferencat e gjuajtjes dhe lëvizjet e lojtarëve boshnjakë.

Pas ndeshjes, Cizmic foli për mediat boshnjake, duke përshkruar momentin:
“E pashë copën e letrës pranë peshqirit dhe menjëherë e kuptova se çfarë ishte. E mora dhe e fsheha.”
Ai shtoi se rëndësia e dokumentit ishte e madhe për portierin italian:
“Brenda ishin të gjitha informacionet në lidhje me lojtarët tanë. Pa atë copë letre, Donaruma duhej të mbështetej në intuitën e tij.”
Sipas tij, reagimi i portierit nuk vonoi:
“Ai ishte shumë i zhgënjyer dhe i zemëruar. E mori peshqirin dhe pa se copa e letrës mungonte; e kërkoi, por nuk e gjeti.”
Televizioni N1 në Bosnje raportoi se gjatë një interviste i ka premtuar 14-vjeçarit një ftesë si mysafir nderi në ndeshjet e Bosnje-Hercegovinës në Kupën e Botës 2026.
Ndërkohë, është bërë e ditur se fleta me shënimet pritet të nxirret në ankand, ndërsa të ardhurat do të shkojnë për qëllime bamirësie.
Afan Cizmic konsiderohet një talent në rritje në futbollin e të rinjve, me 18 gola në 12 ndeshje për ekipin e tij. Episodi i fundit, megjithëse jashtë fushës së lojës, e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes mediatike.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje