
Vedat Muriqi po kalon një nga sezonet më të spikatura të karrierës së tij, duke u shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të Majorkës në La Liga. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës ka qenë vendimtar në disa ndeshje, duke kontribuar me gola që i kanë siguruar skuadrës pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.
Një prej momenteve kulmore të sezonit ishte ndeshja ndaj Realit të Madridit, ku Muriqi realizoi në minutat shtesë golin e fitores 2-1, duke konfirmuar rolin e tij kyç në repartin ofensiv të ekipit.
Aktualisht, ai numëron 19 gola në kampionatin spanjoll, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të sezonit. Muriqi ndodhet vetëm katër gola larg liderit të kësaj renditjeje, Kilian Mbape, çka e vendos atë në garë të drejtpërdrejtë me emra të mëdhenj të futbollit europian.
Performanca e tij e lartë ka reflektuar edhe në renditjen për “Këpucën e Artë”, ku ai po i afrohet zonës së podiumit. Objektivi i radhës për sulmuesin kosovar është Erling Haland, i cili aktualisht mban vendin e tretë me 44 pikë, të grumbulluara nga 22 gola në kampionatin anglez.
Në këtë renditje, golat e shënuar në pesë ligat kryesore europiane, përfshirë La Ligën, vlerësohen me koeficientin maksimal prej 2 pikësh për gol. Ndërkohë, në kampionate të tjera, koeficienti varion nga 1 deri në 1.5, në varësi të nivelit të ligës.
Renditja Europiane:
1- Herri Kejn (Bajern Mynih) 62
2- Kilian Mbape (Real Madrid) 46
3- Erling Haland (Mançester Siti) 44
4- Igor Tiago (Brentford) 38
5- Vedat Muriqi (Majorka) 38
6- Luis Suarez (Sporting Lisbonë) 36
7- Deniz Undav (Shtutgart) 36
8- Ajase Ueda (Fejenord) 33
9- Dion Beljo (Dinamo Zagreb) 33
10- Paul Onuaçu (Trabzonspor) 33
11- Lautaro Martinez (Inter) 32
12-Hoakin Panikeli (Strasburg) 32
13-Esteban Lepaul (Ren) 32
Lini një Përgjigje