TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Qershor 2026, 09:00

Miliarda euro për mbrojtjen, Gjermania paralajmëron rritje të çmimeve për armatimet

Shkruar nga Pamfleti

Miliarda euro për mbrojtjen, Gjermania paralajmëron rritje të

Deri në vitin 2030 në Gjermani pritet të shpenzohen qindra-miliarda euro për mbrojtjen. Ekspertët e buxhetit paralajmërojnë për rrezikun e çmimeve të fryra dhe shpërdorimeve.

Në kushtet e rritjes së madhe të buxhetit të mbrojtjes, ekspertët financiarë në parlamentin gjerman, Bundestag, dhe Enti Federal i Kontrollit të Shtetit dhe Auditimit paralajmërojnë për çmime të fryra të industrisë së armatimeve.

Në këtë sektor ekziston një prirje e fortë për të rritur çmimet, tha për agjencinë Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND) raportuesi i SPD-së për buxhetin e mbrojtjes, Andreas Schwarz. "Kur klienti quhet Bundeswehr, vihen çmime të tjera,” tha ai.

Dyfishimi i çmimit për kontejnerët e karburantit

Politikani i partisë së Gjelbër për çështjet e buxhetit, Sebastian Shefer, kritikoi kostot e projekteve për prokurimet e ushtrisë gjermane Bundeswehr, të cilat në krahasim ndërkombëtar janë pjesërisht tepër të larta. Si shembull, të dy politikanët përmendën kontejnerët e karburantit për trupat e Bundeswehrit, ku nuk është e qartë se nga kanë ardhur rritjet e mëdha të kostove.

Sipas njoftimeve të RND-së brenda katër viteve çmimi për njësi është dyfishuar, nga 142.000 në rreth 291.000 euro. Për këtë arsye ekspertët e buxhetit e kanë bllokuar përkohësisht vazhdimin e porosive për kontejnerë karburanti. Një nga shkaqet për këtë zhvillim është mungesa e konkurrencës, tha Schwarz. Ai kërkoi që në të ardhmen kjo duhet të kontrollohet më rreptësisht përmes ligjit të konkurrencës.

Edhe Enti Federal i Kontrollit të Shtetit dhe Auditimit tha se fondi i posaçëm për ushtrinë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e çmimeve. Nëse një organizatë ka shumë më tepër para në dispozicion brenda një kohe të shkurtër, rritet rreziku i shpenzimeve joefikase, thuhet në një raport të posaçëm të majit 2025./DW

Lini një Përgjigje