
Kampionati shqiptar ka mbyllur sezonin e rregullt, me Tiranën që është zyrtarisht jashtë “Final Four”. Jashtë garës për titull, bardheblutë dështuan totalisht në këtë sezon të elitës, duke zhgënjyer tifozët, të cilët prisnin një skuadër që luftonte për trofeun.
Pavarësisht fitores 0-3 ndaj Egnatias në ndeshjen e fundit të kampionatit, në vendin e katërt renditet përfundimisht Skënderbeu, me korçarët që pas triumfit 1-5 ndaj Vllaznisë kanë 51 pikë, 1 pikë më shumë se ekipi i Erbim Fagut që pozicionohet në vendin e 5.
Sa i takon ndeshjes në Rrogozhinë, bardheblutë shënuan dy gola në pjesën e parë. Braziliani Patrik udhëhoqi kryeqytetasit, duke realizuar dopietë. Në fillimin e pjesës së dytë, Abazaj dërgoi shifrat në 0-3, duke bërë që Tirana të sigurojë kështu suksesin. Vendasit, u përpoqën që të reagonin, por e patën mjaft të vështirë, ndaj një rivali të vendosur shumë mirë. Në fund, gjithsesi asnjë aryse për të festuar, Tirana përmbyll kështu një sezon negativ.
Korçarët mposhtën një Vllazni të mbushur me djem të rinj, duke iu bashkuar pikërisht shkodranëve, Partizanit dhe Egnatias, teksa të katër skuadrat do të duelojnë për titullin kampion.
Skënderbeu triumfoi me rezultatin 1-5 në “Loro Boriçi”, aty ku Brdariç vendosi të paraqitet me futbollistët që kanë marrë më pak minuta, apo të rinj të akademisë, pasi humbja i siguronte Vllaznisë edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës, duke qenë se Skënderbeu vijon të jetë i pezulluar dhe nuk garon dot aty.
Partizani triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Erzenit, duke blinduar vendin e dytë, me pikë të barabarta me Egnatian, por me një bilanc negativ në përballjet direkte.
Në sfidat e tjera, Teuta mposhti Dinamon 1-0 me një gol në shtesë, ndërsa Laçi mposhti Kukësin 2-0, me kurbinasit që do të duhet të sigurojnë mbijetesën nëpërmjet një ndeshjeje shtesë, me fituesen e Play Off-it të Kategorisë së Parë.
Lini një Përgjigje