
FIFA ka rritur pagën bazë të Presidentit, Xhani Infantino me 33% vitin e kaluar dhe tashmë paga e zviceranit shkon në 4,67 milionë dollarë, shkruan "ESPN".
54-vjeçari u zgjodh pa kundërshtarë në krye të organit më të lartë të futbollit botëror në mars të vitit të kaluar, përpara se FIFA të organizonte Kupën e Botës për Femra në Australi dhe Zelandën e Re si dhe zgjodhi kandidatët për të pritur dy Kupat e Botës për meshkuj, duke përfshirë edicionin e vitit 2034 që do të mbahet në Arabinë Saudite.
Paga bazë e Xhani Infantinos u rrit me më shumë se 565,000 dollarë vitin e kaluar. Bonusi i tij vjetor ishte 1.87 milionë dollarë, njësoj si në vitin 2022 kur Kupa e Botës për meshkuj u luajt në Katar.
Presidenti i mëparshëm i FIFA-s, Sep Blater, kishte një bonus të kontraktuar me vlerë 12 milionë dollarë për Kupën e Botës 2014, mbi një pagë bazë prej 3 milionë dollarësh përfshirë edhe bonuset vjetore.
Infantino kishte një shtëpi në Katar, ku shikonte nga afër përgatitjet e Botërorit të vitit 2022, ndërsa tani kalon kohën në Florida, ku FIFA ka zyrat në Coral Gables, aty ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojnë Kupën e Botës së vitit 2026 së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. Florida nuk ka një taksë mbi të ardhurat shtetërore.
FIFA ka një buxhet të ardhurash prej 11 miliardë dollarësh për ciklin 3-vjeçar (2023-2026) me sponsorët sauditë, përfshirë firmën shtetërore të naftës Aramco, që pritet të bashkohet me partnerët e vjetër Coca-Cola, Adidas dhe Visa. Kupa e Botës 2026 do të jetë e para me 48 ekipe dhe do të luajë gjithsej 104 ndeshje.
FIFA i pagoi Sekretares së Përgjithshme të CEO-s, Fatma Samoura 2.15 milionë dollarë në vitin e saj të fundit, të njëjtën pagë që merrte në vitin 2022. Ajo merrte një pagë me vlerë 1.47 milionë dollarë dhe një bonus 670,000 dollarë përpara se të largohej në dhjetor.
Infantino ka funksionuar si një udhëheqës ekzekutiv, pavarësisht rekomandimeve nga një panel reformash, i krijuar pas skandaleve të korrupsionit në vitin 2015, se presidenti i FIFA-s duhet të kishte një rol më të rëndësishëm. Ai grup reformash këmbënguli gjithashtu në publikimin e detajeve të pagave të menaxhimit.
Pagat e FIFA-s janë ngritur nga një panel kompensimi i kryesuar nga Mukul Mudgal, një gjyqtar në pension nga India që mbikëqyr qeverisjen dhe pajtueshmërinë në trupën e futbollit, për të cilin ai u pagua 250,000 dollarë vitin e kaluar.
Pagesat për Këshillin prej 37 anëtarësh të FIFA-s mbetën të njëjta. Gjashtë nënkryetarët që drejtojnë organizmat e futbollit kontinental morën një shumë neto prej 300,000 dollarë plus shpenzimet. Anëtarët e tjerë morën 250,000 dollarë plus shpenzimet në vit.
Presidenti i organizmit evropian të futbollit UEFA, Aleksander Ceferin, gjithashtu iu dha një pagë bruto pa bonus me vlerë pothuajse 3.26 milionë dollarë, sipas raportit financiar të publikuar muajin e kaluar.
Shefi ekzekutiv i Premier Ligës Angleze, Riçard Masters, liga më fitimprurëse e futbollit vendas, kishte një pagë prej 1.8 milion £ (2.3 milion dollarë) në vitin 2022.
Shumica e të ardhurave komerciale të FIFA-s janë të lidhura me Kupën e Botës për meshkuj dhe do të regjistrohen në llogari për vitin 2026.
Në vitin 2023, vitin e Kupës së Botës për femra, FIFA tha se kishte të ardhura prej 1.17 miliardë dollarësh, me 456 milionë dollarë nga marrëveshjet e marketingut dhe 267 milionë dollarë nga transmetimi. Shitjet e biletave dhe mikpritjes për turneun e femrave me 32 ekipe, me 64 ndeshje ishin 43 milionë dollarë.
FIFA tha se shpenzoi dhe investoi pothuajse 1.75 miliardë dollarë në vitin 2023, me 499 milionë dollarë për Kupën e Botës për Femra. Pagesat për ekipet pjesëmarrëse, lojtarët dhe klubet e tyre që i lëshuan ato u rritën në 152 milionë dollarë.
FIFA tani paguan secilën prej 211 Federatave anëtare të saj deri në 8 milionë dollarë çdo katër vjet, dhe ky program arrinte vlerën e 470 milionë dollarëve në financimin e zhvillimit të futbollit vitin e kaluar.
Rezervat financiare ranë pothuajse në 3.6 miliardë dollarë, tha FIFA, duke e përshkruar totalin si "një nivel shumë solid”. Ai duhet të bjerë në secilin nga dy vitet e ardhshme dhe pastaj të rritet përsëri në vitin 2026./ Marrë nga ESPN, përshtati në shqip, /Pamfleti
Lini një Përgjigje