
Federata kërkon mbështetje të vazhdueshme nga tribuna në finalen e plejofit për Botëror dhe apelon për respekt gjatë himnit të kundërshtarit
Federata e Futbollit e Kosovës u bëri thirrje tifozëve që të mos qëndrojnë ulur gjatë ndeshjes ndaj Turqisë, duke e cilësuar këtë përballje si vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës. Në reagimin e saj, FFK publikoi një mesazh motivues për tifozët, duke kërkuar angazhim maksimal në stadium.
“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë. Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”, thuhet në thirrjen e FFK-së.
Federata kërkoi gjithashtu që tifozët të tregojnë korrektësi ndaj kundërshtarit para fillimit të ndeshjes.
“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh. Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd”, thuhet në thirrjen e FFK-së.
FFK e lidh mbështetjen nga tribuna me objektivin për kualifikim, duke kërkuar një atmosferë të fortë në stadium dhe respekt për kundërshtarin.
Lini një Përgjigje