
Pas 2 humbjeve dhe një barazim, Vllaznia është rikthyer te fitorja dhe një gjë të tillë e ka bërë në transfertë përballë Skënderbeut. Shkodranët kanë mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 “Ujqërit e Dëborës”.
Fati i këtij takimi u vendos në minutën e 84. Një harkim nga e djathta e sulmit shkodran gjeti devijimin e pafat të Dumfur, i cili dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 34, Skënderbeu mbeti me 10 lojtarë. Ramos nuk kontrolloi topin, Gruda ia mori topin e më pas u nis drejt portës, me Prençin, i cili ndërhyri duke e rrëzuar. Gjyqtari nuk hezitoi duke i treguar kartonin e kuq.
Në minutën e 90+5, Vllaznia gjeti golin e qetësisë. Një top i ulur në zonë nga Balaj për Delajn goditi saktësisht nga ky i fundit, duke kaluar Aliajn dhe dyfishoi shifrat.
Fillimi i ndeshjes ishte i qetë në fushën e lojës, por aspak në tribuna. Një ngjarje aspak e këndshme ndodhi në minutat e para të kësaj sfide.
Në tribunën VIP të stadiumit “Skënderbeu”, aty ku po qendronin edhe presidenti Ardjan Takaj së bashku me djalin e tij janë përfshirë në një sherr. Një person debatoi me presidentin e ekipit dhe më pas e goditi. Kjo gjë detyroi djalin e presidentit të Skënderbeut që të ndërhynte, por edhe ky i fundit u godit në momentin e rrëmujës së zënkës.
Bëhet me dije se personi në fjalë që ka goditur Takajn, është prindi i njërit prej lojtarëve të Skënderbeut.
Lini një Përgjigje