
Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian të Futbollit për 21-vjeçarët në vitin 2027. Më 4 shkurt, UEFA konfirmoi se ky kampionat do të organizohet nga dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me këtë, sot ka ardhur një reagim dhe nga grupi "Plisat" nga Prishtina, një nga grupet e tifozëve që kanë treguar mbështetje të zjarrtë për Kombëtaren kuqezi në rrugëtimin e saj në vite.
Reagimi i tyre ka nisur duke e cilësuar vendimin për organizimin e Europianit nga Shqipëria dhe Serbia si "aktin më të turpshëm në historinë e sportit shqiptar." Grupi thotë se Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta dijë se sporti nuk është i ndarë nga historia dhe as nga ndjenjat e popullit që përfaqëson dhe ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe antikombëtar.
"Plisat" i janë drejtuar dhe presidentit të FSHF, Armand Dukës, duke thënë se me këtë vendim nuk shlyhet historia, ndërsa shtojnë se mbyllën sytë para veprimeve të serbëve në luftën e fundit në Kosovë, ku humbën jetën mijëra njerëz, u dhunuan mijëra gra dhe u dogjën prona të shqiptarëve. Grupi kërkon nga Federata Shqiptare e Futbollit ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të tërhiqen "nga akti më i turpshëm në historinë e sportit shqiptar dhe të mos e shesë dinjitetin tonë kombëtar për interesa të ngushta." Sipas tyre sporti duhet të na bashkojë, por jo duke na detyruar të harrojmë gjakun dhe dhimbjen tonë.
Reagimi i plotë i “Plisave”:
REAGIM I GRUPIT "PLISAT" NDAJ AKTIT MË TË TURPSHËM NË HISTORINË E SPORTIT SHQIPTAR
Fatmirësisht jeni pak, por fatkeqësisht jeni me ndikim të madh në atë Shqipërinë tonë të zemrës. Jeni pak ju që keni komplekse inferioriteti ndaj shkijeve e ndaj ballkanasve të tjerë, por sherrin e keni të madh sepse jeni në pozita të larta.
Është shkrim pak më i gjatë ky, por jo aq sa dhimbjet tona. As sa krenaria jonë. Andaj ju lusim të ndani pak kohë që ta lexoni. Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta dijë se sporti nuk është i ndarë nga historia dhe as nga ndjenjat e popullit që përfaqëson. Ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe antikombëtar.
Askush nuk ju dha mandat t’i rehabilitoni kriminelët. Askush nuk ju dha mandat të shkelni mbi dinjitetin tonë. Por ju keni mandat ta përcjellni futbollin. E kur e bëni punën tuaj, si nuk ju bie në sy asnjë akt antishqiptar nëpër stadiumet e “partnerëve” tuaj? Si nuk ju bijnë në sy flamujt anti Kosovë, anti Shqipëri, koreografitë e shkijeve duke u zotuar që do ta bëjnë namin kur të kthehen në Kosovë? Atyre ua kemi dhënë përgjigjen e merituar gjithmonë, herën e fundit kur u futën ne Banjskë para 1 viti e gjysmë, kur i lanë të vdekur shokët e tyre e ikën malit si lepujt, por sot vendosëm t’ua japim juve përgjigjen e parë, këtu të shkruar, për aktin tuaj të turpshëm. z.Duka, me një të rënë të lapsit e me një nënshkrim tuajin, nuk shlyhet historia e aq më pak krenaria e dhimbjet tona, POR ju sigurojmë që ne lëndohemi shumë.
E kush jemi ne? Jemi populli shqiptar, i cili gjithandej trojeve ju shikon me habi e mëri se si kur nënshkruat me partnerët Tuaj, nuk i kujtuat veprimet e tyre vetëm në luftën e fundit, ku ndaj nesh i kanë kryer hiç më pak se: 15,000 vrasje të civilëve, mbi 20,000 dhunime të grave; kanë djegur mbi 40% të pronave të shqiptarëve; kanë zhdukur mbi 6000 shqiptare, rreth 1600 prej të cilëve ende nuk dihet ku janë; kanë kryer mbi 400 masakra, të dokumentuara; kanë plaçkitur pronat privat e publike të shqiptarëve të Kosovës; etj etj.
Por dëshira e tyre për gjakpirje e plaçkitje as nuk ka filluar me luftën e fundit, e as nuk ka përfunduar me të njejtën.
Sporti mund të jetë një urë lidhëse mes popujve, por jo kur ai përdoret për të normalizuar padrejtësinë, fashizmin, fajin e borxhin e shtetit më gjenocidal të Ballkanit.
Ne nuk mund të heshtim përballë një padrejtësie të tillë. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit ta rishqyrtojë këtë vendim, të tërhiqen nga akti më i turpshëm në histori të sportit shqiptar dhe të mos e shesë dinjitetin tonë kombëtar për interesa të ngushta.
Sporti duhet të na bashkojë, por jo duke na detyruar të harrojmë gjakun dhe dhimbjen tonë. Janë dy mënyra për ta kujtuar historinë e popullit tonë. Njëra është përplot dhimbje e vuajtje, tjetra përplot krenari e nder. Asnjërën nuk do të mund ta shkelni ju. Me asnjë organizim tuajin, me asnjë vëllazëri tuajën me gjaksin tonë.
JO ME ATA!
JO MBI GJAKUN E SHQIPTARËVE!
DINJITETI MBI TË GJITHA!
NE NUK HARROJMË, NE NUK FALIM!
Ndërkohë Shqipëria, ashtu edhe Serbia, janë përballur me sanksione nga UEFA, organi qeverisës i futbollit evropian për shkak të incidenteve mes tifozëve. Më 2014 në Beograd ndodhi një incident gjatë ndeshjes mes dy ekipeve, kur një dron me flamurin e "Shqipërisë së Madhe" hyri në stadium, gjë që nxiti një përleshje mes lojtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë dhe ndaj tifozëve.
Pavarësisht këtyre incidenteve, federatat e Shqipërisë dhe Serbisë u bënë bashkë vitin e kaluar dhe planifikuan organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit. Për këtë kampionat kërkohen tetë stadiume, ku do të luhen 31 ndeshje. UEFA tha se ndeshja hapëse e kampionatit do të mbahet në Serbi, ndërsa ndeshja finale në Shqipëri.
Lini një Përgjigje