
Italia është rivali i parë i Shqipërisë në “EURO 2024”. Kuqezinjtë e Silvinjos do të nisin rrugëtimin emocionues në Gjermani 2024 pikërisht përballë kampionëve në fuqi të Europës.
Sfidë e programuar për datën 15 qershor (21:00) në “Signal Iduna Park” të Dortmundit. Të kaltrit kanë prezantuar sot fanelat me të cilat do të garojnë në Europianin e verës.

Uniformat janë krijuar nga ADIDAS, partneri kryesor i kombëtares italiane. E para është e kaltër e çelur, që është edhe ngjyra historike e ekipit italian.
Në jakë shkruhet: “Italia të thërret” (varg i himnit kombëtar), ndërkohë që fanela e dytë, që do të përdoret në rastin ku djemtë e Spaletit do të jenë “udhëtues”, është e bardhë.

Shorti ka përcaktuar Itali-Shqipëri duelin e parë të grupit B të Europianit (bëjnë pjesë edhe Kroacia e Spanja). Kështu që Italia do të luajë me fanelën e kaltër përballë kuqezinjve tanë.

Lini një Përgjigje