TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Tetor 2025, 15:37

Çelsi mposht Notingamin dhe afrohet me kreun, Angle Postecoglu rrezikon shkarkimin

Shkruar nga Pamfleti

Çelsi mposht Notingamin dhe afrohet me kreun, Angle Postecoglu rrezikon

Premier Liga nisi këtë të shtunë javën e tetë. Në 'City Ground', vendasit e Notingam Forest u mposhtën 0-3 nga Çelsi. Nëse sheh vetëm rezultatin të krijohet përshtypja e një tripikëshi të lehtë për 'Blutë', por në fushë gjërat nuk ishin të thjeshta.

Ishte Notingami që pati kontrollin e lojës në pjesën e parë, duke humbur disa raste për gol. Çelsi me Mareskën në tribunë ishte me fat që nuk pësoi dhe pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Me nisjen e pjesës së dytë, konkretisht në minutën e 49, një pasim i Pedro Netos u devijua me kokë nga 19-vjeçari Açeampong dhe u ndal në rrjetë. Me euforinë e golit, Çelsi pa drejt sulmit dhe gjeti golin e dytë. Këtë herë Pedro Neto e ndali vetë topin në rrjetë.

Notingami u befasua dhe vendasit u tronditën nga dy golat e pësuar, aq sa presidenti Evangjelos Marinakis u largua nga tribuna. Vendasit goditën dy herë shtyllën gjatë një aksioni, por nuk qe e thënë që topi të ndalej në rrjetë.

Në minutën e 84 duhej Ris Xhejms që të 'vuloste' suksesin 0-3 dhe t'i dërgonte 'Blutë' në vendin e katërt në kuotën e 14 pikëve, dy më pak se kryesuesit e Arsenalit që kanë një ndeshje më pak. Në fund pati vend edhe për kartonin e kuq të Malo Gusto, me Çelsin që e mbylli me dhjetë futbollistë.

Sa i takon Notingamit, e ardhmja e trajnerit Ange Postecoglou është në diskutim dhe një shkarkim nuk do ishte surprizë. Me vetëm pesë pikë pas tetë ndeshje, Notingami mban vendin e 17, pa mundur të 'kopjojë' sezonin e shkuar që ishte surprizues.

notingam forest çelsi premier liga

Lini një Përgjigje