
Serxhio Konseisao ka marrë drejtimin e Al Itihad që javën e kaluar, por vetëm sot bëri debutimin e tij në ndeshje zyrtare në pankinën e klubit në Arabinë Saudite. Dhe për Mario Mitajn, nuk ka qenë një lajm i mirë.
Ashtu si paraardhësi i tij, Loran Blank, edhe Konseisao ka vendosur të mbajë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare jashtë listës së ekipit për ndeshjet e kampionatit. Kështu, mbrojtësi i majtë është stërvitur rregullisht me ekipin, por nuk ka qenë në protokoll për ndeshjen e luajtur sot në Riad ndaj Al Fajha, e cila u mbyll me shifrat 1-1, pasi Benzema humbi penallti në minutën e 88.
Lënia jashtë e Mitajt në këtë sfidë, ashtu si në të mëparshmet, vjen për faktin se në Arabinë Saudite, mund të përfshihen në protokoll vetëm 8 lojtarë të huaj. Rajkoviç, Danilo Pereira, Kante, Fabinjo, Diabi, Benzema dhe Bergvajn ishin të huajt titullarë sot tek Al Itihad, ndërsa Dumbia u aktivizua në pjesën e dytë nga Konseisao në këtë duel.
Nëse situata nuk ndryshon, për Mitajn do të jetë një problem i madh aktivizimi në radhët e Al Itihad në muajin në vijim deri në ndeshjet e radhës të Kombëtares, ku përjashtim mund të bëjnë vetëm duelet e Ligës së Kampioneve të Azisë ku nuk ka kufizim për të huajt në radhët e skuadrave.
Lini një Përgjigje