TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Prill 2026, 21:57

Duka mohon miqësoren vëllazërore Shqipëri-Kosovë: Në fokus mbetet Kupa mbarëkombëtare, duhen 2 milionë euro

Shkruar nga Pamfleti

Duka mohon miqësoren vëllazërore Shqipëri-Kosovë:

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka hedhur poshtë lajmet për një ndeshje miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Për të qenë i sinqertë, jo,” u shpreh ai, duke sqaruar se një iniciativë e tillë nuk është aktualisht në plan.

Projekti i Kupës mbarëkombëtare

Duka riktheu në vëmendje një projekt të mëhershëm të 2 Federatave, i cili parashikonte organizimin e një Kupe mbarëkombëtare mes klubeve shqiptare dhe kosovare.

Ajo që kemi nisur si projekt disa vite më parë, para Covid-it ishte një Kupë mbarëkombëtare, për të cilën përgatitëm edhe projektin financiar, që kërkon goxha mbështetje,” deklaroi ai.

Mungesa e interesit pa stimuj konkretë

Sipas kreut të FSHF-së, organizimi i një aktiviteti futbollistik pa përfitime të qarta nuk tërheq interesin e klubeve.

Të bësh një aktivitet në futboll sot shumë formal, nuk ngjall interes nëse nuk ke për çfarë luan. Benefite financiare apo sportive,” theksoi Duka.

Ai shtoi se një kompeticion i tillë nuk ofron përfitime sportive, si kualifikimi në kupat europiane, ndaj mbetet e domosdoshme krijimi i stimujve financiarë.

Ky lloj kompeticioni nuk mund të ketë benefite sportive për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Kështu që e njëjta gjë është që të ketë stimuj financiarë,” u shpreh ai.

Kostoja dhe sfidat financiare

Projekti parashikonte mbështetje financiare për klubet, përfshirë ato të kategorive të treta, si dhe mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe akomodimit.

Fatura financiare ishte rreth 2 milionë euro në vit, gjë që nuk mund të përballohet vetëm nga ne, nga Federatat,” theksoi Duka.

Mungesa e përgjigjes institucionale

Sipas tij, propozimi është paraqitur pranë qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

E kemi çuar këtë propozim te të dyja qeveritë, nuk kemi pasur një përgjigje edhe për arsye të Covid-it dhe nuk e kemi riaktivizuar,” tha ai.

Thirrje për rishqyrtim të projektit

Në përfundim, Duka la të hapur mundësinë e rikthimit të projektit në të ardhmen, por me një qasje më funksionale.

Mendoj që duhet ta riaktivizojmë, por në këtë mënyrë. Të bëjmë një aktivitet që klubet të kenë interes, klubet të luajnë me futbollistët më të mirë,” deklaroi ai, duke shtuar se në mungesë të interesit real, klubet mund të aktivizojnë ekipet rezervë dhe qëllimi i kompeticionit nuk arrihet.

armand duka presidenti i fshf

Lini një Përgjigje