
Dinamo dhe Tirana kanë ndarë pikët në derbin e vlefshëm për javën e 32-të të “Abissnet Superiore”, duke barazuar 1-1 në stadiumin “Air Albania”.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa fraksioni i dytë solli emocionet kryesore. Bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 54-t, kur Myslovic finalizoi saktë për 0-1. Reagimi i Dinamos ishte i menjëhershëm dhe vetëm katër minuta më pas, Malomo riktheu baraspeshën, duke shënuar golin e 1-1.
Në minutat e fundit, ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Në të 88-tën, Bregu pati mundësinë të rikthente avantazhin për Tiranën nga pika e bardhë, por humbi një penallti që rezultoi vendimtare për fatin e sfidës.
Pas këtij barazimi, Dinamo renditet përkohësisht në vendin e katërt me 45 pikë. Nga ana tjetër, Tirana mbetet në vendin e tetë me 32 pikë, duke vijuar të jetë në zonën e rrezikut për rënie nga kategoria.
Në ndeshjen tjetër, Elbasani është afruar me Vllazninë në krye falë një fitoreje të vështirë me përmbysje me shifrat 2-1 përballë Teutës, e cila praktikisht ia dhuroi në sekondat e fundit të sfidës.
Pas një pjese të parë shumë të luftuar, durrsakët ishin me meritë në avantazh falë penalltisë së Arifit. Por në të dytën, situata ndryshoi pasi "djemtë e detit" u tërhoqën dhe Elbasani gjeti po shpejt barazimin me një penallti tjetër të akorduar falë ndihmës së VAR-it. Më pas skuadrat për shumë minuta preferuan të mos rrezikonin, duke qendruar larg portave kundërshtare, me Elbasanin që u hodh në minutat e fundit në sulm.
Selmani bëri heroin duke pritur dy herë penalltinë e Dialo si dhe ndali një tjetër gjuajtje në shtesë. Por as ai nuk mundi të bënte asgjë kur mbrojtja e tij në mënyrë të çuditshme për një ekip që ka lojën në ajër si armën e fortë, harroi si mbrohet në goditjen nga këndi të minutës së 95-të dhe Ze Gomesh shënoi me lehtësi golin e fitores 2-1 që i dha tre pikë të arta skuadrës së Elbasanit.
Lini një Përgjigje