Në një lajm të publikuar nga “Le Parisien” skuadra e Llapit është nën hetim për trukim ndeshjesh në futbollin kosovar. Të paktën 4 ndeshje të Superligës së Kosovës janë manipuluar, gjë që ka çuar nëntë persona në pranga në Francë, pas një hetimi një vjeçar, ku dyshohet se janë fituar mbi 360 mijë euro.
Sipas kësaj gazete, grupi prej afro 10 personash të moshës 22 deri 50-vjeç janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të trukuara nga klubi i Llapit nga Podujeva. “Le Parisien” shtoi se në këtë skandal të përfshirë janë drejtuesit e klubit, anëtarët e stafit teknik dhe disa lojtarë.
Megjithatë ka ardhur edhe reagimi i Llapit, ku nëpërmjet një komunikate zyrtare ka mohuar çdo pretendim të mediave franceze për trukimin e ndeshjeve.
“Komunikatë për shtyp
Ndonëse vonë, me shkas po iu drejtohemi me këtë komunikatë për shtyp.
Kryesia e K.F. Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh.
Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës.
K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siç janë publikuar nga portalet dhe gazetat e ndryshme.
Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim.
Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona.
Me respekt
Kryesia e KF Llapi
Presidenti i klubit
Beqir Batatina”, shkruan skuadra nga Podujeva.
Lini një Përgjigje